Pyetja:
Nëse dikush pret kurbanin ditën e bajramit dhe harron të thotë bismilah, a lejohet që të hahet ky mish?
***
Përgjigjja:
Shumica e dijetarëve thonë: “Lejohet të hahet”. Disa të tjerë thonë: “Lejohet të hahet mishi i prerë nga muslimani, edhe nëse përmendja e Allahut gjatë prerjes është lënë me vetëdije”. Disa të tjerë thonë: “Nëse e harron përmendjen e Allahut, lejohet, kurse, nëse e lë me vetëdije, nuk lejohet”. Ajo që unë mendoj është se nuk lejohet të hahet ky mish, qoftë e lënë nga harresa apo me vetëdije thënia bismilah, sepse Allahu ka thënë në Librin e Tij fisnik: “Mos hani nga ai mish që nuk është përmendur emri i Allahut në prerjen e tij.” (Enam: 121)
Ata që e lejojnë, argumentohen me hadithin e Aishes, që transmetohet se disa njerëz që ishin të rinj në fe, sapo ishin shkëputur nga kufri, sollën mish si dhuratë e ajo tha: “Nuk e dimë a e kanë përmendur emrin e Allahut në prerjen e këtij mishi apo jo”. Profeti ﷺ tha: “Përmendeni ju emrin e Allahut dhe hani.” [1]
Themi: Ky hadith ka të bëjë me atë rast kur ai i cili e pret kafshën, është musliman dhe të
dhuron ty mish, ndërkohë që ti nuk e di a ka thënë bismilah apo jo. Atëherë, origjina është që muslimani thotë bismilah. Por, nëse je i bindur se ai musliman nuk ka thënë bismilah, për mendimin tim, duhet ta lësh, mos ta hash. Kush e lë diçka për hir të Allahut, Ai do ja zëvendësojë me diçka më të mirë.
Shejh Mukbil bin Hadij el Uadi’ij, “Ixhabetus-Sail an Ehemil Mesail”, fq. 668, fetva nr. 402
Përktheu: Shuajb Rexha
———————————
[1] Buhariu