Pyetja:

A lejohet përdorimi i ilaçeve për ndalimin e menstruacioneve gjatë Ramazanit, sidomos në rastin kur këto të fundit zgjasin shumë ditë, me qëllimin që të kryhet agjërimi i plotë i ditëve të Ramazanit?

***

Përgjigjja:

Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut!

Shumë dijetarë janë të mendimit se përdorimi i kokrrave për shtyrjen e ciklit menstrual ose përshpejtimin e tij, nëse gruas i lind një nevojë e tillë, nuk përbën problem. Ky qëndrim i tyre bazohet mbi rregullin juridik: “Origjina e çështjeve është lejimi, përderisa nuk ka argument kategorik ndalues”.

Porse sërish duhet thënë se ky lejim vlen nëse sa në fjalë nuk i shkakton gruas dëmtim, kurse nëse kjo gjë e dëmton atë, atëherë ndalohet. Po kështu mendimi më parësor është se më e mira është që këto kokrra (ilaçe) të mos përdoren fare.

Në lidhje me këtë çështje dijetari i shquar Shejh Ibn Uthejmin thotë:

Këndvështrimi im në lidhje me këtë çështje është që femra të mos marr kokrra të tilla dhe të mbetet ashtu siç ka caktuar dhe shkruar Allahu i Madhëruar  për bijat e Ademit (të mbetet në natyrën origjinale femërore të menstruacioneve). Allahu i Madhëruar ciklin menstrual e ka bërë për një urtësi të caktuar dhe pa dyshim që kjo urtësi është në favor të natyrës së gruas, ndërsa po qe se ajo e ndalon këtë zakon, s’ka dyshim se një gjë e tillë do të influencojë në dëm të gruas.

Teksa ne e dimë që Profeti ﷺ ka thënë: ‘Jo dëmit (pa dashje) dhe jo dëmtimit (me dashje) [1] që do të thotë: Kur të bëhet një dëm pa dashje ai duhet evituar dhe kur të bëhet një dëm me dashje duhet evituar dhe ndëshkuar.’  Mendoj që kësaj që u cek më herët, nuk ia kemi shtuar dëmtimet që kanë konstatuar doktorët t’i vijnë mitrës për shkak të këtyre kokrrave.

Ajo që unë mendoj në këtë çështje është që gratë të mos i përdorin këto kokrra; falënderuar qoftë Allahu për caktimin dhe urtësinë e Tij! Kur femrës t’i vijë cikli menstrual ajo le të ndalohet nga agjërimi dhe namazi, ndërsa kur të pastrohet ta vijojë agjërimin dhe namazin, pastaj pasi të mbarojë Ramazani, ajo e bën kaza (e shlyen më vonë) agjërimin që i ka ikur pa e kryer (për shkak të zakoneve).” [2]

Gjithsesi, nëse menstruacionet ndërpriten tek femra për shkak të marrjes së këtyre kokrrave apo ilaçeve dhe ajo agjëron, kësisoj konsiderohet se ajo e ka kryer detyrimin dhe nuk e ka më borxh t’i agjërojë më pas ditët në të cilat do duhej t’i vinin zakonet. Po ashtu, përderisa çështja në fjalë është e lejuar, femra që e bën këtë gjë me dashje, nuk konsiderohet mëkatare.

Allahu e di më miri.

———————————–

[1] Ibn Maxhe 2340, Albani ka thënë se hadithi është “sahih / i vërtetë”.

[2] “Fetava Islamie” v. 2, f. 145.

[3] islamweb dhe islamweb