Pyetja:

A lejohet shitblerja e Kuranit?

***

Përgjigjja:

Nëse bëhet fjalë për këndimin dhe recitimin e Kuranit, pra fjalës së Zotit nuk lejohet në asnjë mënyrë, sepse këndimi i Kuranit është adhurim dhe adhurimi nuk shitet dhe nuk blihet. 

Ndërsa përsa i përket kopjes fizike, ku është shkruar Kurani, e cila quhet Mus’haf ka dallim dhe gjykim tjetër. Nuk ka ndonjë argument të drejtëpërdrejtë, që e ndalon shitjen e Mus’hafit, por në mesin e dijetarëve ka mendime të ndryshme. Sipas medh’hebit Hanefi dhe Maliki është e lejuar shitblerja e Mus’hafit.

Sipas Medh’hebit Hanbeli është e ndaluar kategorikisht.

Ndërsa sipas medh’hebit Shafii është mekruh, e papëlqyeshme dhe jo haram.

Imam Ahmedi ka dhe mendime të tjera, të cilat përcillen prej tij; në një version thotë, se është mekruh (sikur) medh’hebi Shafii dhe në një version tjetër e shikon të lejuar, njësoj si  dy medh’hebet e para (Hanefi dhe Maliki).  Ndërsa në një version tjetër, që përcillet prej imam Ahmedit dhe prej disa dijetarëve të tjerë është e ndaluar shitja, por jo blerja.

Realisht këto janë përmbledhje mendimesh, që medh’hebet e njohura i kanë përcjellur nga sahabët dhe tabiinët. Ndërkohë, përderisa kopja fizike e Kuranit, Mus’hafi është e nevojshme dhe ndalimi i shitblerjes së tij ndikon në mësimin, studimin dhe këndimin e fjalës së Zotit, atëherë mendojmë se mendimi i shumicës së dijetarëve, që thonë se nuk është haram është më parësor. Gjithashtu është më e pëlqyeshme, që shitblerja e Mus’hafit të realizohet në rast nevoje dhe jo për të bërë tregti me të, për të qenë më të sigurtë dhe për të ruajtur shenjtërinë e Mus’hafit më shumë në zemër dhe praktikë.

Komisioni Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH