Pyetja:

A i lejohet femrës me mbulesë ta studioj gjuhën angleze duke marrë parasysh punësimin pas diplomimit të saj?

***

Përgjigjja:

Motër, duhet bërë dallim në mes të studimit dhe punësimit, pastaj mes punësimit të njëjtë në ndonjë vend apo shtet krahasuar me ndonjë shtet tjetër. E kam parasysh se punësimi për të diplomuarën për gjuhë angleze mund të jetë më i vështirë, por megjithatë nuk është gjendja më e mirë me shumicën e profileve pedagogjike arsimore. Ne nuk mund të themi se të studiohet gjuha angleze për femrën muslimane është haram, por porosisim çdo femër muslimane që dëshiron t’i vazhdojë studimet universitare, që të shikojë profilet ku ajo mund të jetë më kontribuese nesër dhe me çfarë do të ishte i kënaqur Allahu. Pra, ku ajo më mirë dhe më shumë do të ishte në shërbim të njerëzimit, të Islamit dhe muslimanëve! Kudo që të regjistrohet dhe çfarëdo që studion, le ta ketë frikë Allahun dhe të mos bie në mëkate të tjera edhe më të mëdha për shkak të një rruge, që nuk është gjithaq e pëlqyer fetarisht! Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku