Pyetja:

A mund të më tregoni për “agjërimin e Daudit (Paqja qoftë mbi të!)”, nëse unë dua ta praktikojë atë, a më lejohet që ta fillojë dhe pas dy ose tre muajsh, nëse më lind nevoja, t’ia prishi rendin (p.sh. ta shtyjë atë me një ose më shumë ditë për shkak të ndonjë rasti edhe pastaj ta vazhdojë prapë në rregull), apo duhet patjetër që ky agjërim të jetë vazhdimisht një ditë po dhe një ditë jo. Po në këtë kontekst desha të di se a ka ndonjë ditë të caktuar të javës kur duhet të fillohet “agjërimi i Daudit (Paqja qoftë mbi të!)” dhe a lejohet që ta kryej atë vetëm për disa muaj dhe pasi të pushojë një ose dy javë ta vazhdojë përsëri?

***

Përgjigjja:

Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, Muhamedin ﷺ!

Profeti Daud (Paqja qoftë mbi të!) agjëronte një ditë po dhe një ditë jo në vazhdimësi dhe ky agjërim përbën agjërimin vullnetar më të dashur tek Allahu i Madhëruar; porse dijetarët muslimanë lidhur me mirësinë e këtij agjërimi kushtëzojnë që ai të mos e dobësojë personin fizikisht aq sa ta paaftësojë atë kundrejt kryerjes së të drejtave të Zotit dhe atyre të njerëzve që personi ka për detyrë t’i bëjë; përndryshe dihet parimi juridik se “veprës së detyrueshme duhet t’i jepet përparësi kundrejt asaj jo të detyrueshme”.

Po në këtë kontekst, vlen të theksohet, se nga dijetarët muslimanë (me sa mund të hulumtohet) nuk dihet të jetë përmendur ndonjë periudhë e caktuar kohore me të cilën realizohet “agjërimi i Daudit (Paqja qoftë mbi të!)” dhe as ditë e caktuar ku të fillohet ky agjërim, porse ai mund të fillohet në një ditë çfarëdo të javës. Gjithashtu, për përfitimin e shpërblimit të agjërimit në fjalë nuk është kusht që personi ta kryejë atë gjatë gjithë jetës së tij (sidomos kur e ndërpret atë nga nevoja), por agjërimi në fjalë vlerësohet si i shpërblyeshëm për aq kohë sa është kryer, përderisa i është përmbajtur kushteve të pranimit të veprës së mirë (adhurimit). Ndërkaq, nuk ka dyshim se më e mira dhe më parësorja është që personi i cili ka mundësi ta kryejë “agjërimin e Daudit (Paqja qoftë mbi të!)”, ta bëjë atë në mënyrë të vazhdueshme. Gjithsesi, kryerja e vazhdueshme e këtij agjërimi (nëse nuk është bërë premtim dhe as betim për një gjë të tillë), nuk është obligim.

Së këtejmi, muslimani/ja që e agjëron një ditë dhe ditën tjetër nuk e agjëron, është futur tek vepruesit e kësaj vepre të mirë të cilën e do Allahu i Madhëruar dhe me lejen e Allahut do ta marrë shpërblimin për këtë agjërim të tijin, pasi Allahu i Madhëruar shpërblen për veprën e mirë (adhurimin) edhe në qoftë pak.

Në përfundim vlen të përmendet mendimi i imam Shatibiut se “muslimani/ja nuk është e pëlqyeshme të marr përsipër të veprojë në mënyrë të vazhdueshme një vepër vullnetare që e di se nuk është i aftë ta kryejë në vazhdimësi”.

Allahu e di më mirë.

Alaudin Abazi