A lejohet të betohesh rrejshëm me qëllim që të pajtosh mes dy personave që kanë grindje ndërmjet tyre?

Profeti Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të në hadithin e Umu Kulthumit bint Ukbete ibn ebi Muiit Allahu qoftë i kënaqur prej saj tregon duke thënë: Nuk është gënjeshtar ai person që pajton (përmirëson) ndërmjet njerëzve i cili shton mirësi dhe flet mirë) . E ajo thotë : Nuk e kam dëgjuar (Profetin) të tolerojë për diçka që njerëzit e quajnë gënjeshtër vetëm se në tre raste: 1) Pajtimin (përmirësimin) ndërmjet njerëzve .2) Në luftë. 3) Bisedat e burrit (lëvdatat) ndaj bashkëshortes së tij dhe bisedat (lëvdatat) e gruas ndaj bashkëshortit të saj . E transmeton Muslimi në librin e saktë të hadithëve.

Nëse personi thotë në pajtimin ndërmjet njerëzve: Betohem në Allahun se shokët e tu (që ka pasur mosmarrëveshjeve) dëshirojnë pajtimin me ty apo dëshirojnë të bien dakord me ty apo dëshirojnë etj etj, e më pas shkon te të tjerët (pala tjetër) dhe u thotë atyre të njëjtat gjëra e qëllimi i tij me këtë është mirësia dhe pajtimi ndërmjet tyre. Nuk ka ndonjë problem në këtë gjë, duke u bazuar në hadithin e lartpërmendur.

E kështu mund të veprojë edhe nëse sheh ndonjë person i cili dëshiron të vrasë ndonjë person tjetër padrejtësisht apo ti bëjë dikujt ndonjë lloj tjetër padrejtësie, ti thotë atij: Për Zotin ai është vëllai im, me qëllim që ta shpëtojë atë nga ky keqbërës nëse ai dëshiron ta vrasë atë me pa të drejtë apo ta godasë atë me pa të drejtë. Nëse ai e di se kur i thotë: Është vëllai im, ai do ta falë në respekt të tij, në këtë rast është detyrë për të që të veprojë në këtë mënyrë për shkak të dobisë dhe shpëtimit të vëllait të tij nga padrejtësia (dëmi në këtë rast).

Nga e gjithë kjo dalim ny përfundimin se: Origjina në rastet e betimit të rrejshëm është ndalesa (pra haram), me përjashtim të atyre rasteve kur dobia është më e madhe se gënjeshtra, sikurse në tre rastet e përmendura në hadithin e mësipërm.

Mexhmu’u El fetaue El Shejh Ibn Baz. Vëllimi I parë faqja 54.
Përktheu: Naim Bilibashi
https://udhaebesimtareve.com/