Në disa vende jomuslimane, xhamitë janë të pakta dhe nuk i zënë të gjithë besimtarët, ndërsa autoritetet nuk lejojnë faljen në hapësira publike. Për këtë arsye, disa xhami e organizojnë faljen e xhumasë dy herë, me grupe të ndryshme.
Për ta kuptuar gjykimin fetar për këtë çështje, duhen dalluar dy raste:
1. Falja e xhumasë në disa vende brenda të njëjtit qytet
Në kohën e Pejgamberit, SalAllahu alejhi ve selem, dhe të kalifëve të drejtë, muslimanët mblidheshin për një falje të vetme të xhumasë, megjithëse namazet e tjera me xhemat faleshin në disa xhami.
Dijetarët kanë pasur mendime të ndryshme për faljen e xhumasë në disa vende brenda të njëjtit qytet:
– Disa e kanë ndaluar, duke u mbështetur në praktikën e hershme të muslimanëve dhe në qëllimin e xhumasë: bashkimin e tyre në një tubim të përjavshëm.
– Të tjerë e kanë lejuar pa e kushtëzuar me nevojën. Sipas tyre, praktika e faljes së një xhumaje të vetme tregon se kjo është më e mira, por nuk dëshmon se falja e saj në disa vende është e ndaluar.
– Një grup tjetër e ka lejuar vetëm kur ka nevojë, si në rastin kur xhamia nuk i zë të gjithë ose kur qyteti është aq i madh, sa mbledhja në një vend të vetëm ua vështirëson njerëzve pjesëmarrjen.
Në përgjigjen e cituar, ky mendim i fundit është vlerësuar si më i sakti. Megjithatë, lejimi kufizohet aq sa e kërkon nevoja: nëse mjaftojnë dy vende për faljen e xhumasë, nuk lejohet të shtohet një i tretë pa nevojë.
2. Falja e xhumasë më shumë se një herë në të njëjtën xhami
Kjo është një çështje bashkëkohore, për të cilën dijetarët kanë dy mendime:
Mendimi i parë: nuk lejohet. Këtë qëndrim ka mbajtur Komisioni i Përhershëm i Fetvave. Sipas tij, kur xhamia nuk i zë të gjithë besimtarët, duhet kërkuar një vend tjetër për faljen e xhumasë. Ky vend nuk është e domosdoshme të jetë xhami; mund të jetë edhe një shtëpi, kopsht apo hapësirë tjetër ku lejohet falja.
Mendimi i dytë: lejohet kur ka një nevojë të arsyeshme. Këtë qëndrim e kanë mbajtur disa institucione të fetvave në Amerikë dhe Evropë, institucioni i fetvave në Egjipt dhe një numër studiuesish.
Ky mendim mbështetet në disa arsye:
Nevoja që e bën të lejueshme faljen e xhumasë në disa vende të një qyteti ekziston edhe në këtë rast, kur nuk ka xhami tjetër dhe nuk është e mundur të falet në hapësira të tjera.
Mundësimi i faljes së xhumasë për të gjithë ka përparësi ndaj bashkimit të tyre në një falje të vetme, nëse kjo do të linte një pjesë të besimtarëve pa e falur.
Kur mbeten vetëm dy mundësi – përsëritja e xhumasë ose mbetja pa e falur atë – pasoja e përsëritjes është shumë më e vogël sesa humbja e faljes së xhumasë.
Urdhrat fetarë zbatohen sipas mundësisë. Allahu i Lartësuar thotë: “Prandaj, frikësojuni Allahut aq sa të mundeni!” (Et-Tegabun: 16). Ndërsa Pejgamberi, SalAllahu alejhi ve selem, ka thënë: “Kur ju urdhëroj për diçka, bëni prej saj aq sa të mundeni.” (Buhariu dhe Muslimi)
Përfundimi
Kjo është një çështje ixhtihadi, pra një çështje për të cilën dijetarët kanë arritur në përfundime të ndryshme duke shqyrtuar argumentet fetare. Secila palë ka argumentet dhe arsyetimet e veta. Mendimi që e lejon përsëritjen e xhumasë në të njëjtën xhami kur ka nevojë është i arsyetuar dhe i pranueshëm; prandaj, ai që e ndjek nuk ka gjynah.
Megjithatë, nuk lejohet të merret lehtë kjo çështje dhe xhumaja të përsëritet pa një nevojë të arsyeshme që e kërkon. Përsëritja e saj për shkak të mungesës së hapësirës është një zgjidhje përjashtimore. Përgjegjësit duhet të përpiqen, sa të munden, të sigurojnë vende të tjera për falje, në mënyrë që në secilën xhami të falet vetëm një xhuma.
Nëse sigurimi i vendeve të tjera është i pamundur ose tepër i vështirë dhe nuk mbetet zgjidhje tjetër përveç përsëritjes së xhumasë në të njëjtën xhami, atëherë kjo lejohet, në dashtë Allahu, që besimtarët të mos mbeten pa e falur.
Allahu e di më së miri.
Hoxhë Sabahudin Selimi
(Bazuar në përgjigjjen nr. 587158, islamqa.info)




