Jam 16 vjeçe. Nuk kam ndonjë sëmundje kronike dhe as shqetësime të mëdha në jetë, por më mundojnë vazhdimisht mendimet për vdekjen dhe agoninë e saj. I lutem Zotit tim të më dhurojë jetë të gjatë dhe qetësi shpirtërore, megjithatë këto mendime më shoqërojnë gjatë gjithë ditës.
Ndonëse më pengojnë të bëj mëkate, më pengojnë edhe të kryej adhurimet. Ndonjëherë më vijnë në mes të namazit dhe më shkaktojnë të përziera të forta, dridhje të këmbëve dhe ftohje të duarve e të këmbëve. Për këtë arsye, ndonjëherë jam detyruar të falem ulur. Kam shumë frikë nga vdekja dhe vazhdimisht mendoj se si do ta përballoj agoninë e saj.
Pyetja ime është:
A ka ndonjë adhurim ose lutje që mund të më ndihmojë ta kapërcej agoninë e vdekjes, të shoh nëse emri im do të shkruhet në Il-lijjin, të kaloj shpejt te sprova e varrit dhe të qëndroj e palëkundur gjatë saj? Nëse jo, a ka ndonjë mënyrë që ta lehtësojë agoninë e vdekjes, në mënyrë që shpirti im të dalë si një pikë uji, përveç rënies dëshmore? Dhe çfarë do të thotë, në të vërtetë, që shpirti të dalë si një pikë uji?
PËRGJIGJJA
1. Mos e përjeto sot dhimbjen e një çasti që ende nuk ka ardhur.
Mos e mundo veten duke përfytyruar se si do të jetë agonia e vdekjes, si do të dalë shpirti apo çfarë do të ndiesh. Këto janë çështje të së fshehtës. Vdekja ka një afat të caktuar nga Allahu; detyra jote tani është të jetosh dhe të përgatitesh për të.
Mos mendo vetëm për dhimbjen e vdekjes, por shpreso edhe në mëshirën dhe kënaqësinë e Allahut. Në hadith përshkruhet se shpirti i besimtarit del “ashtu siç rrjedh pika nga bartësja e ujit”. Ky përshkrim tregon lehtësinë e daljes së shpirtit dhe është një përgëzim që ngjall shpresë e qetësi.
Allahu na i ka fshehur hollësitë e jetës së varrit: ne besojmë në to, por nuk i shohim dhe as nuk i dëgjojmë. Tani jemi në jetën ku duhet të veprojmë, prandaj le të përgatitemi për botën tjetër, pa u përpjekur t’i përjetojmë para kohe ato që na presin.
2. Pyetja kryesore është: “Si të jetoj?”, jo vetëm: “Si do të vdes?”
Njeriu është krijuar për ta adhuruar Allahun. Kjo jetë është një mundësi për të vepruar dhe për t’u përgatitur për botën tjetër. Prandaj, përkujtimi i vdekjes duhet t’i japë jetës kuptim, jo të na pengojë të jetojmë.
Allahu i Lartësuar thotë:
“Me atë që të ka dhënë Allahu, kërko botën tjetër, por mos e harro pjesën tënde në këtë botë!”
(El-Kasas: 77)
Mëso, puno, sillu mirë me prindërit dhe me njerëzit, shijo të mirat e lejuara dhe bëhu e dobishme. Bëje jetën tënde një rrugë drejt kënaqësisë së Allahut. Në vend që të shqetësohesh vazhdimisht për përfundimin tënd, pyete veten: “Çfarë mund të bëj sot për ta forcuar besimin dhe për ta fituar mëshirën e Allahut?”
3. Bashkoje frikën me shpresën dhe vazhdo të bësh mirë.
Nëse përkujtimi i vdekjes të kujton një mëkat, largohu prej tij; nëse të kujton mangësitë e tua, përmirësohu. Pastaj vazhdo jetën. Mos lejo që frika të të largojë nga namazi, mësimi, marrëdhëniet e mira me njerëzit dhe gëzimet e lejuara.
Allahu i Lartësuar thotë:
“Lajmëroji robërit e Mi se, vërtet, Unë jam Falësi, Mëshirëploti, dhe se dënimi Im është vërtet dënimi i dhembshëm!”
(El-Hixhr: 49–50)
Pejgamberi, SalAllahu alejhi ve selem, ka thënë: “Nëse ndonjërin prej jush e zë Kiameti duke pasur në dorë një fidan palme, le ta mbjellë!” (Ahmedi)
Pra, as afrimi i fundit nuk duhet të na pengojë të bëjmë një punë të dobishme që kemi mundësi ta kryejmë.
4. Kur frika të vjen gjatë namazit, mos u përfshi në debat me mendimet.
Thuaji vetes me qetësi: “Kësaj çështjeje ende nuk i ka ardhur koha. Unë nuk e di të fshehtën. Tani jam para Allahut në namaz.” Pastaj ktheje vëmendjen te namazi.
Mos prit që frika të zhduket plotësisht për të vazhduar adhurimin. Mëso të falesh edhe kur ndien njëfarë frike, derisa mendja të mësohet gradualisht ta lidhë namazin me qetësinë dhe afërsinë me Allahun.
5. Kur frika të pengon në jetën e përditshme, kërko ndihmë profesionale.
Nëse frika vazhdon të jetë e fortë, të shkakton të përziera e dridhje dhe të pengon në namaz, në mësime apo në jetën e përditshme, kërko ndihmën e një specialisteje muslimane të shëndetit mendor. Këto shenja mund të shoqërojnë ankthin ose mendimet obsesive. Trajtimi nuk bie ndesh me mbështetjen tek Allahu; ai është pjesë e marrjes së masave të nevojshme.
(Burimi islamqa.info pyetja nr. 661446)
Përmblodhi dhe përktheu: Hoxhë Sabahudin Selimi




