Pyetja:

Kam dëgjuar se dikush u ka ofruar disa punëtorëve të krahut (që punojnë me mëditje) të holla për dhënien e gjakut, dikush prej tyre paska pranuar. Sipas normave islame sa është kjo në rregull?

***

Përgjigja:

Fillimisht të themi se dhënia gjak fetarisht jo vetëm që është e lejuar, por është edhe e preferuar, sepse me këtë bëhet një vepër humane duke iu ndihmuar njeriut dhe bëhet shkak për jetën e një qenje njerëzore. Allahu xh.sh. në Kuran thotë: “E kush e ngjall (bëhet shkak që të jetë ai gjallë) është si t’i kishte ngjallur (shpëtuar) të gjithë njerëzit.” (Maide: 32)

Poashtu, dihet se gjaku u dedikohet të sëmurëve të cilët kanë nevojë për gjak, dhe ofrimi i ndihmës për nevojtarët, veçanarisht, ata që këto nevoja i referohen jetës dhe shëndetit, është vepër e mirë për të cilën njeriu shpërblehet konform nijetit-qëllimit.

Mirëpo, me këtë rast, duhet ditur se gjaku nuk është prone e njeriut, pra gjakun njeriut ia ka falur Allahu xh.sh. dhe njeriu nuk ka të drejtë të manipulojë me pronën e tjetrit sipas qejfit të vetë.

Nisur nga kjo, njeriu nuk mund ta shesë gjakun e vet, sepse mund të shitet ajo që e posedon njeriu, kurse gjaku nuk është pronë e tij, dhe ai nuk mund ta shesë të huajën.

Transmentohet se i Dërguari i Allahut ﷺ ka ndaluar nga kompenzimi që merret për shitjen e gjakut. [1]

Mirëpo, në disa vende, shoqata të ndryshme për grumbullimin e gjakut, apo spitalet e kryqi i kuq, apo gjysëmhëna e kuqe, shpesh here ndajnë shpërblime për ata që japin gjak, unë mendoj se këto dhurata nuk ka pengesë të merren, sepse nuk janë çmim me të cilin paguhet gjaku. Poashtu, disa marrin kartela të caktuara të cilëve u mundësohen disa lehtësime në spital apo diku tjetër, poashtu mendoj se edhe këto lehtësime mund të pranohen dhe nuk janë ndonji problem.Në veçanti, kur kihet parasysh fakti se këto gjëra si zakonisht janë donacion prej shtetit, apo ministries e drejtorisë së spitalit, etj.

Kjo, dhe nuk guxon askush që të marrë kompenzim për gjakun prej njeriut që i dhuron gjak në emër të shpërblimit, sepse kjo është hile-mashtrim. Një rregull juridike Islame thotë: ”El-Maërufu urfen, ke-l-meshruti sharten” (Ajo që është e ditur nga zakonet, është sikur të jetë e vënë kusht). Pra, nëse është e zakonshme që njerëzit kompenzimin për shitjen e gjakut ta quajnë hedije-dhuratë’ kjo është njejtë sikur të vëhet kusht, pra të shitet gjaku.

Allahu e di më së miri.

Bashkim Aliu

——————————

[1] Buhariu