Pyetja:

A lejohet të shkruaj ajet në dritare të dyqanit tim?

***

Përgjigjja:

Kurani famëlartë është fjala e Allahut, dhe është shpallur që të jetë udhëzim dhe dritë për njerëzimin. Muslimani duhet ta bëjë Kuranin kantar të jetës dhe veprave të veta, ashtu që çdo here ta ketë atë pike referimi.

Nga ana tjetër, pasi Kurani thamë se është fjalë e Allahut xh.sh., atëherë duhet të jemi sy çelë se si sillemi me këtë libër dhe ajetet e tij, gjegjësisht duhet ta ruajmë dhe të mos lejojmë që ajetet e Kuranit, apo komplet mus’hafi të nënçmohet në ndonjë mënyrë, si të gjuhet, të lehet në tokë ku shkelin njerëzit, të shkilet nga tjerët, të ndyhet etj.

Nisur nga kjo, mendoj se ajetet kuranore në origjinal nuk bën të shkruhen në dritare apo në ndonjë vend tjetër të jashtë të dyqaneve, sepse mund të nënçmohet duke u ndyrë nga shpezët apo nga njerëzit.

Ajete mund të vihen brenda në dyqan ku nuk mund të bëhet diçka e këtillë, edhe atë jo thjesht si dekor, por që të të përkujtojë në Allahun apo në shmangien e ndonjë gabimi, si psh., ajete të kaptinës El-Mutaffifinë ku ndalohet vjedhja në peshojë, etj.

Kjo vlen për shitoret të cilat nuk kanë harame, ndërkaq kafetë ku njerëzit shajnë, fyejnë, bëjnë veprime të pahijshme etj, nuk është e rrugës të varen ajete, sepse njerëzit i nënçmojnë këto ajete duke mos ua varur veshin, apo duke bërë veprime nga të cilat ndalojnë vetë ajetet, si psh., sharja.

Allahu e di më së miri.

Dr. Bashkim Aliu