Pyetja:

Ne jemi në perendim, dhe pasi që u kthyem prej haxhi, një fqinj i jonë jomusliman kërkoi ti japim ujë zemzemi. Ne i dhamë, sepse nuk patëm guxim ta refuzojmë që mos keqkuptohemi, por pastaj lindi polemika në familje nëse kjo është e lejuar, ngase në pyetje është uji i zemzemit. A kemi bërë ndonjë gabim?

***

Përgjigjja:

Fillimisht Allahu e pranoftë haxhin tuaj dhe të gjithë besimtarëve. Ju nuk keni bërë gabim se i keni dhënë një jomuslimani të pijë ujë zemzemi, sepse Pejgamberi ﷺ para se të ndalohet hyrja e idhujtarëve në Mekë, nuk i ka ndaluar të pijnë ujë zemzemi dhe as që ka lënë porosi të tillë.

Uji i zemzemit na përkujton në momentet e fillimit të banimit të qytetit të Mekes dhe ditëve të para të pejgamberit të Allahut, Ismailit alejhis-selam, prej pasardhësve të të cilit është edhe Muhamedi ﷺ. Po ashtu, Muhamedi ﷺ ka folur për vlerën e ujit të zemzemit duke potencuar se është i pastër dhe shërim për njeriun, por e gjithë kjo nuk do të thotë se ky ujë mund të pihet vetëm nga muslimanët.

Ka qenë mire që kur t’i jepet një jo muslimani uji i zemzemit ti tregohet për vlerën e këtij uji, nëse ai nuk ka njohuri, si dhe të bëhet nijet nga muslimani që uji i zemzemit të jetë shërim për zemrën e jomuslimanit nga sëmundja e mosbesimit në të vërtetat islame.

Allahu e di më së miri.

Dr. Bashkim Aliu