Pyetja: Kam qenë shtatzënë në muajin e pestë, por më janë shkaktuar komplikime serioze – mitra dhe placenta u çanë – dhe për shkak se jeta ime ishte në rrezik, mjekët u detyruan ta ndërpresin shtatzëninë.
Fatkeqësisht, foshnja nuk mundi të mbijetojë, sepse ishte ende shumë i vogël.
Për të më shpëtuar jetën, gjatë operacionit mjekët më hoqën mitrën.
Tani, nëse Allahu e ka caktuar, dua që vitin tjetër të bëj transplant të mitrës me shpresën për të pasur sërish një fëmijë.
A është kjo në kundërshtim me vullnetin e Allahut?

Përgjigja:

Sa i përket transplantimit të mitrës, dijetarët bashkëkohorë e kanë diskutuar këtë çështje dhe nuk janë të gjithë të një mendimi. Mirëpo, patjetër duhet të merret një mendim i cili pastaj është vendimtar, sepse në çështjet e fesë nuk mund të ecim me dy mendime për një çështje të caktuar.

Në rastin konkret, duhet të kemi parasysh se mitra, edhe pse është ena e fëmijës ku ai rritet, nuk ndikon në vetitë e embrionit. Pra, thjesht shërben si enë ku ai rritet, ndërsa vetitë trashëguese dhe cilësitë e karakterit i merr nga veza e femrës dhe fara e mashkullit (gjenet). Duke u nisur nga kjo, shumica e dijetarëve bashkëkohorë janë të mendimit se lejohet transplanti i mitrës, sidomos për gratë që dëshirojnë të kenë fëmijë për shkak të problemeve që kanë me mitrën, ose në këtë rastin konkret të kësaj motre që nuk ka mitër – fetarisht nuk ka problem të bëhet transplant i mitrës, pra, nuk është gjynah.

Dashtë Allahu që të ketë sukses.

Hoxhë Dr. Rasim Haxha