Pyetja:
A më falet mëkati nëse e përsëris atë?
***
Përgjigjja:
Mëkatet janë rrezik i madh për muslimanin dhe pasojat e tyre janë të rënda për të në këtë botë dhe në botën tjetër. E nëse njeriu bën mëkate të vazhdueshme dhe Allahu ia mbulon ato, mund të vijë një ditë që Allahu ta turpërojë atë para gjithë njerëzve, me mëkatin që ai e bën ndaj Allahut.
Megjithatë, gjëja më e rrezikshme që mund të arrijë shejtani ndaj mëkatarit, është që ta largojë atë nga pendimi. Ngase Allahu thërret që robërit e Tij të pendohen tek Ai, se dyert e pendimit janë të hapura dhe Allahu i falë të gjitha gabimet.
Andaj, duhet njeriu të vazhdojë dhe mos të ndalet nga të kërkuarit falje ndaj Allahut, edhe nëse përsëriten gabimet e tij. Me rëndësi është që gjatë çdo pendimi, të vendosë që më nuk do ta përsëritë gabimin e tij. E nëse gabon përsëri, duhet të pendohet përsëri, duke i plotësuar kushtet e pendimit.
Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami
Comments are closed.