Pyetja:

Kam një mobil edhe në të kam ilahi, derse dhe Kuran. A lejohet te hysh ne tualet me këtë mobil, kur jam në shtëpi nuk hy por me bie rasti jam në ndonjë vend tjetër ku nuk mund ta lë mobilin në vend të sigurt?

***

Përgjigjja:

WC-të janë vende që muslimani nuk guxon t’i përdor për të lexuar gjëra fetare, gjëra ku është i shkruar emri i Allahut, apo tema fetare, nuk mund të dëgjojë Kuran, ligjëratë fetare dhe nuk mund ta përmend Allahun.

Nëse ka me vete letra që kanë të shkruar gjëra të këtilla, nuk bën t’i marrë me vete në WC.

Mirëpo, duhet bërë dallim mes letrave dhe aparateve të sotme, si: celularët, iPad, iTach, Laptopa, etj.

Nëse në këto që u përmendën ka Kur’an, ilahije, ligjërata fetare, etj., nuk ka pengesë që t’i kesh me vete në WC nga frika se mos t’i vjedhin, ngase shkrimi në këto aparate nuk është si shkrimi në letër. Për të mund të lexuar, duhet të aktivizohet dhe të hapen programet përkatëse. Nëse nuk e bën këtë, nuk ka asgjë në ekranin e tyre. Besimtari emrin e Allahut e ka në zemër dhe në mend, por nuk mund të thuhet se nuk bën të hyjë në nevojtore. Ajo që ndalohet është të shqiptohet emri i Allahut me zë, ose të lexohet Kur’an, ose të keshë të shkruar ajete në letër dhe atë letër ta marrish me vete. Përndryshe, forma elektronike, nuk është problematike. Bile, dijetarët e kanë lejuar që t’i mbash me vete edhe paratë në të cilat është emri Allah, ngase paratë nuk mund të lehen jashtë, nëse është fjala për vende publike e jo në shtëpi.

Allahu e di më së miri.

Bashkim Aliu