Pyetja:

Kam biletë udhëtimi mirëpo bileta ime me funksionon deri ne ora 16:00, kur më duhet të kthehem në shtëpi është ora 16:00, por unë udhëtoj me atë biletë dhe nuk blej tjetër. Kjo i bie se unë udhëtoj në atë kohë pa bilet (në të zezën) a e kam haram që udhëtoj ashtu?

***

Përgjigjja:

Së pari, më duhet të theksoj se prej muslimanit kërkohet të jetë korrekt, i sinqertë dhe i drejtë me të gjithë. Muslimani nuk duhet të gënjejë, nuk duhet të mashtroj dhe nuk duhet të bëjë dredhi. Kjo vlen për çdo musliman dhe në raport me të gjithë, në raste normale. Për atë, muslimani nuk guxon të vjedh dhe të mashtrojë, as një person, po as një kompani.

Nga pyetja e juaj, shihet se ju keni paguar të përdorni shërbime transporti deri në ora 4 pas dite. Në këtë rast vlejnë rregullat e përdorimit të biletës, që besoj se shkruajnë në biletë dhe ju i dini, dhe me vullnetin tuaj i keni pranuar. Për atë, ju duhet t’u përmbaheni atyre rregullave dhe biletën ta përdorni brenda kohës që e keni në dispozicion dhe konform kushteve që e keni marrur biletën.

Nëse doni të udhëtoni jashta kësaj kohe, normalisht se nuk bën ta përdorni biletën në fjalë, por duhet të merrni biletë tjetër, ngase në atë rast do të kishit udhëtuar pa pagesë. Ju me këtë e përdorni shërbimin e transportit, e nuk e paguani, dhe kjo nuk bën të bëhet, ngase ke obligim apo hak ndaj kompanisë e cila nuk lejon transport falas.

Nuk është me rëndësi a do të zënë kontrollori apo jo, ky veprim nuk është i lejuar dhe ju bëni gabim. Të gjithë njerëzit e paguajnë udhëtimin, e ju në këtë rast nuk e paguani, ngase bileta që e keni vlenë vetëm për një kohë të caktuar, ndërsa ju udhëtoni pas asaj kohe. I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: ”Kush na mashtron, nuk është prej nesh.” [1]
Në këtë rast, kjo formë udhëtimi është mashtrim dhe dredhi, si dhe abuzim me transportin publik. Në veçanti, ju si musliman, nuk duhet ta bëni këtë, ngase po qe se ju zënë kontrollori, mund t’ju denoncojë dhe t’ju fyej e t’ju turpërojë edhe si musliman, e të thotë se ju muslimanët mashtroni, vidhni dhe jeni jo të sinqertë, doni të jetoni pa obligime. Bile, edhe nëse e din saktë se nuk ka kontrollor, ti si musliman këtë nuk guxon ta bësh, por, nëse të zënë kontrollori, duhet ta kesh parasysh dëmin që mund t’ua sjellësh muslimanëve tjerë. Ka disa muslimanë që e dëmtojnë imazhin e Islamit dhe muslimanët, në sytë e jomuslimanëve, në këtë mënyrë, thjesht për një interes të vetin jo legjitim.

Pa e zgjatur, ju mund ta përdorni biletën brenda kohës së lejuar. Nëse udhëtoni pas asaj kohe, duhet të merrni biletë të re. Nuk është e lejuar ta përdorni atë biletë në kohën që nuk është e paraparë.

Allahu e di më së miri.

Bashkim Aliu

————————–

[1] Muslimi