Pyetja:

A merr sevape muslimani për shpenzimet që bën për ndërtimin e shtëpisë?

***

Përgjigjja:

Transmetohet nga Enes bin Maliku se Profeti ﷺ ka thënë: ”Ndërtesa që njeriu ndërton, do të jetë në disfavor të llogarisë së tij, përveç aq sa është e nevojshme për t’u ndërtuar.” [1]

Habab bin Ereti ka thënë: E kam dëgjuar Profetin ﷺ duke thënë: ”Njeriu do të shpërblehet për çdo gjë që shpenzon (në hallall për familjen) përveçse shpenzimeve për ndërtim.” [2]

Shejh Albani ka thënë: Dije, se qëllimi me këto dy hadithe është tërheqja e vërejtjes për të mos u preokupuar me ndërtimin e shtëpisë më tepër se sa është nevoja. Siç dihet nevoja ndryshon nga individi në individ dhe nga familja në familje. Dikush ka familje më të madhe dikush më të vogel. Dikush vizitohet nga shumë mysafirë, dikush tjetër më pak. Duke i parë në këtë kontekst, këto hadithe përputhen tërësisht me hadithin tjetër të saktë, në te cilin Profeti ﷺ ka thënë: ”Të kesh shtrat për vete, për gruan, shtrat pë mikun, e ndërsa i katërti është për shejtanin.” [3]

Ibn Haxheri në shpjegim të këtij hadithi ka thënë: Të gjitha këto hadithe i referohen ndërtimit më tepër se sa është e nevojshme për t’u strehuar.

Diku tjetër Ibn Haxheri thotë: Jo çdo ndërtim përtej nevojës konsiderohet mëkat dhe teprim, sepse ka ndërtime për të cilat njeriu shperblehet, si psh., kur ndërton më tepër se nevoja e tij, për të plotësuar nevojat e dikujt tjetër. Në këtë rast ndërtuesi (investuesi i ndërtimit) shpërblehet. [4]

Përktheu: Shuajb Rexha

—————————-

[1] Ebu Davudi nr 5237 dhe Ibn Maxheh nr. 4161

[2] Tirmidhiu nr 2483 dhe Ibn Maxheh nr. 4163

[3] Muslimi

[4] Silsileh Sahiha nr. 2831