Pyetje: A mund ta bëj këtë lutje: “O Allah, për hir të agjërimit që po e bëj për Ty, më shëro!”?
Përgjigja: Falenderimi i takon Allahut, Zotit të botërave.
Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të Dërguarin e Tij, mbi familjen dhe shokët e tij.
Së pari: Teuesuli me vepra të mira në lutje është një praktikë e lejuar në Islam. Argumenti për këtë është hadithi i njohur i tre njerëzve që mbetën të bllokuar në një shpellë, të cilët iu drejtuan Allahut duke përmendur veprat e tyre më të sinqerta dhe Allahu ua largoi vështirësinë.
(Trasmetuar nga Buhariu dhe Muslimi).
Së dyti: Çfarë do të thotë të lutesh “për hir të agjërimit apo një vepre të mirë”?
Do të thotë që ti i kërkon Allahut duke përmendur agjërimin ose një vepër të mirë që ke kryer, duke u bazuar në sinqeritetin dhe devotshmërinë me të cilën e ke bërë atë vepër. Dhe ky veprim që të kërkosh diçka nga Allahu duke u mbështetur në një vepër të mirë, si agjërimi, hyn në kategorinë e teuesulit me vepra të mira, që është i lejuar.
Së treti: Edhe pse teuesuli me vepra të mira është i lejuar, më e mira është të përdorim lutjet e transmetuara nga Kurani dhe Suneti, pasi ato janë më të plota dhe përmbajnë fjalët më të zgjedhura për pranimin e duasë. Profeti ﷺ e pëlqente lutjen e përmbledhur (جامع الدعاء), duke përfshirë kërkesa të gjera në pak fjalë.
Nga lutjet që i ka bërë vetë Profeti ﷺ, përmendim:
– اللَّهُمَّ اشْفِنِي شِفَاءً لَا يُغَادِرُ سَقَمًا
(Allāhumma ishfinī shifā’an lā jugadiru sakamā.)
O Allah, më shëro me një shërim që nuk lë pas asnjë sëmundje pas!
– اللَّهُمَّ رَبَّ النَّاسِ، أَذْهِبِ البَأْسَ، وَاشْفِ أَنْتَ الشَّافِي، لَا شِفَاءَ إِلَّا شِفَاؤُكَ، شِفَاءً لَا يُغَادِرُ سَقَمًا
(Allāhumma rabban-nāsi, adh-hibil-ba’sa, washfi anta ash-shāfi, lā shifā’a illā shifā’uk, shifā’an lā jugadiru sakamā.)
O Allah, Zoti i njerëzve, largoje sëmundjen dhe më shëro, Ti je Shëruesi, nuk ka shërim veç shërimit Tënd, shërim që nuk lë pas asnjë sëmundje!
(Buhariu dhe Muslimi)
Pra si përfundim themi: edhe pse teuesuli me vepra të mira është i lejuar, më e mira është të qëndrojmë te lutjet e Profetit ﷺ, pasi ato janë më të sigurta për pranimin e tyre dhe më të përsosura në shprehje.
Allahu të dhëntë shërim!
Allahu e di më së miri.
Dr. Adelina Kuçana