Përgjigje: Sa i përket kohës së menstruacioneve, disa nga dijetarët kanë përmendur ditë të caktuara, e disa nga dijetarët kanë thënë se nuk ka kohë të caktuar se sa mund të zgjasin më së shumti ato. Dhe mendojmë se ky është mendimi më i saktë, pasiqë nuk ka ndonjë argument i cili definon kohëzgjatjen e tyre.

Kështuqë menstruacionet mund të zgjasin edhe dhjetë ditë, por muslimanja duhet të jetë vetë ajo e cila e dallon se nëse ai gjak është i menstrucaioneve, apo është ndonjë çrregullim. Ngase gjaku i menstruacioneve është me ngjyrë të zezë (apo afër të zezës), me erë të rëndë dhe të papëlqyer, ndërsa gjaku i çrregullimeve është i kuq, sikur gjaku i cili del nga ndonjë pjesë tjetër e trupit dhe era e tij është sikur era e gjakut normal.

Andaj, nëse gjaku i cili rrjedh dhjetë ditë është me cilësi të gjakut të menstruacioneve, atëherë ndalohet falja e namazit, agjërimi dhe marrëdhëniet me bashkëshortin, ndërsa nëse gjaku është me cilësi të gjakut normal, atëherë obligohet namazi, agjërimi dhe lejohen marrëdhëniet me bashkëshortin.

Gjithashtu pastrimi nga menstruacionet vërehet nëse pas tyre rrjedh një lëng me ngjyrë të bardhë, apo ndalet i gjithë gjaku dhe nuk rrjedh më fare.

Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami