Pyetja:
A shkojnë dikur në xhenet ata me të cilët ndizet zjarri fillimisht, besimtarët muslimanë që kanë luftuar, kanë lexuar Kur’an e kanë dhënë pasuri jo për hir të Zotit? Bazohem edhe në këtë hadith pos një tjetri. Hadithi është në “Radijus Salihin”, numër. 148: “I falimentuar i umetit tim është ai që vjen në Ditën e Gjykimit me namaz, me agjërim, me zekat, por njëkohësisht ai ka sharë atë, ka shpifur për këtë, ka ngrënë pasurinë e atij, ka derdhur gjakun e këtij, ka rrahur tjetrin. Atëherë i jepen këtij e atij (atyre që i ka dëmtuar) prej të mirave të tij dhe nëse harxhohen mirësitë e tij para se t’u paguhen borxhet, atëherë do të merren prej mëkateve të tyre dhe do t’i ngarkohen këtij, pastaj edhe ky do të hidhet në zjarr.”
***
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Pyetja juaj radhitet në rangun e pyetjeve që i përkasin shkencës së akides, besimit. Mëkatarët besimtarë nga radhët e umetit të Muhamedit ﷺ, të cilët e meritojnë zjarrin, a do të hyjnë në xhenet apo jo?
Tani po japim disa sqarime të nevojshme për ta kuptuar çështjen në thelb.
Hadithi i parë kërcënon me dënim për shkak të mungesës së sinqeritetit të tyre, pasi veprat ata i kanë bërë për hir të dikujt tjetër, jo për hir të Allahut. Hadithi i të falimentuarit është si rezultat i përgojimit, bartjes së fjalëve dhe dëmeve që u janë shkaktuar njerëzve dhe për shkak të këtyre veprave ai meriton dënimin me zjarr. Hadithet e kësaj natyre që përmbajnë kërcënim me dënim tregojnë rrezikshmërinë e veprës që bëhet shkaktare për ta futur njeriun në zjarr.
Metodologjia e Ehli Sunetit dhe Xhematit është se ne nuk dëshmojmë për askënd se do të jetë në zjarr apo në xhenet dhe themi se kush bën mëkat, qoftë edhe të madh, nuk do të jetë në zjarr përgjithmonë, por do të mbetet nën mëshirën e Allahut. Kjo është e kundërta e havarixhëve, të cilët e fusin në zjarr edhe atë që bën mëkate. Ehli Suneti, duke përfshirë këtu dijetarët e hadithit, fukahatë e kelamistët, thonë se Allahu ka mundësi që një person ta fusë në zjarr e më pas ta fusë në xhenet, duke u bazuar në hadithet autentike. Ky person mund të ketë të këqija për të cilat dënohet, por edhe të mira për të cilat shpërblehet.
Hoxhë Rashid Zylfijaj