Pyetja:

A vdesin xhindët apo mbesin?

***

Përgjigjja:

Vdesin. Bazuar në fjalën e Profetit ﷺ: “Xhindët dhe njerëzit vdesin”. [1]

Sa i përket babait të tyre -Iblisit- ai padyshim që jeton gjatë, ngase ai kërkoi nga Allahu që ta afatizojë atë deri në ditën e ringjalljes dhe Allahu ia lejoi këtë. Ndërsa në lidhje me pasardhësit e tij nuk kemi dije.

Përmendet se në periferi të Mekës gjetën një xhind dhe e pyetën për moshën dhe tha se: “Ka që në kohën kur Kabili vrau Habilin”. Allahu e di më së miri nëse kjo është e vërtetë apo jo. Por sidoqoftë kjo tregon -nëse saktësohet- se ata jetojnë shumë më gjatë.

A do të ringjallen xhinët në Ditën e Kiametit?

Po, do të ringjallen dhe do të futen në zjarr. Bazuar në fjalën e të Lartësuarit: “Allahu do t’u thotë: Hyni në zjarr me popujt xhindët dhe njerëzit që kanë qenë para jush. Sa herë që një popull do hyjë në zjarr, do të mallkojë të tjerët që kanë hyrë para tij”. (Araf, 38) Për këtë ka unanimitet.

Por, a do të futen në xhenet?

Po, ata do të futen në xhenet. Bazuar në fjalën e Allahut pasi përmend xhindët dhe njerëzit duke iu drejtuar atyre me fjalën e Tij: “E cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?”
Për ata që i frikësohen paraqitjes para Zotit të vet, do të ketë dy xhenete”. (Rrahman: 4546)

Dhe thotë: “Atje do të ketë virgjëresha syulura, të cilat para tyre nuk i kanë prekur as njerëz, as xhinë”. (Rrahman)

A do i shohim në Ditën e Kiametit apo do të jenë të “mbuluar” nga ne (nuk do i shohim) si në dynja?

Thuhet se ne do i shohim ata në botën tjetër ndërsa ata nuk do na shohin neve, por nuk di në lidhje me këtë ndonjë argument të saktë ku të qetësohet shpirti.

Shejh Ibn Uthejmin, “Et-Taliku ala Sahihi Muslim” vëll. 3

—————————–

[1] Buhariu dhe Muslimi