Arsyeja e obligimit të agjërimit të Ramazanit

86. I nderuar hoxhë! Pse është bërë obligim agjërimi i Ramazanit?

Përgjigjja: Në të gjitha dispozitat dhe adhurimet që ka ligjësuar Allahu xh.sh. ka urtësi madhështore. Ndoshta disa prej atyre urtësive jemi në gjendje t’i kuptojmë, por në disa raste edhe pse nuk kemi mundësi dhe aftësi t’i kuptojmë, duhet të kemi bindje të paluhatshme se urtësia dhe dobia ekziston.

Në rastin konkret, Allahu xh.sh. e ka përmendur arsyen dhe urtësinë e obligueshmërisë së agjërimit. I Lartësuari ka thënë:

“O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.” (Bekare: 183)

Pra, agjërimi është mjet për realizimin e devotshmërisë, kurse devotshmëri është zbatimi i urdhrave të Allahut dhe largimi nga ndalesat e Tij. Agjërimi konsiderohet prej shkaqeve më madhështore që e ndihmojnë njeriun në zbatimin e obligimeve fetare.

Dijetarët kanë përmendur urtësi të shumta nga adhurimi i agjërimit.

1.Agjërimi është mënyra më e mirë për shprehjen e falënderimit ndaj dhuntive të Zotit xh. sh., ngase agjërimi është abstenim nga ushqimi, pija dhe kënaqësia seksuale, e këto janë dhuntitë më të mëdha për njeriun. Ndalesa e përkohshme nga këto kënaqësi të përkujton vlerën e tyre, ngase zakonisht begatitë bëhen të zakonshme, rutinore, mirëpo kur humben, u kuptohet vlera.

2.Agjërimi është mjet për largimin nga haramet, ngase njeriu kur është në gjendje ta përmbajë veten nga hallalli duke shpresuar në fitimin e kënaqësisë së Allahut xh.sh. dhe frikësohet nga dënimi i Tij, atëherë ushtrimi i vetes që të largohet prej harameve është më e lehtë, pra, agjërimi na ruan prej kryerjes së mëkateve.

3.Agjërimi është mbizotërues ndaj epshit, ngase trupi kur ngopet, i nxit epshet, ndërsa kur është i uritur përmbahet prej dëshirave dhe epsheve. Për këtë arsye i Dërguari i Allahut [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “O ju të rinj! Kush ka mundësi (materiale dhe fizike) prej jush të martohet, le të martohet, ngase në këtë mënyrë arrihet ndalja e shikimit (në harame) dhe mbrohet nderi (nga imoraliteti). Kurse ai që nuk ka mundësi (të martohet), atëherë le të agjërojë, ngase agjërimi për të është mbrojtje (nga të bërit haram).”[1]

4.Agjërimi nxit që të kemi mëshirë dhe humanizëm ndaj nevojtarëve, ngase agjëruesi kur e përjeton vështirësinë e urisë për disa momente, i kujtohen ata të cilët në çdo moment janë të uritur dhe ky përjetim e bën agjëruesin që të shfaqë mëshirë dhe bamirësi ndaj nevojtarëve.

5.Agjëruesi e ushtron veten që të ketë ndjenjën e mbikëqyrjes prej Allahut xh.sh., prandaj largohet nga gjërat që ia kërkon epshi edhe pse ka mundësi t’i bëjë ato, vetëm nga ndjenja dhe bindja se është nën mbikëqyrjen e Allahut xh.sh..

Dijetarët tanë kanë përmendur edhe urtësi të tjera të shumta të agjërimit, por ne po mjaftohemi me kaq.

Allahu e di më së miri.

Dr.Shefqet Krasniqi

————————————————————

[1] Buhariu, nr. 5066; Muslimi, nr. (1400) 3.