Pyetja:

Kam një cështje vërtet delikate dhe dua një këshillë. Jam një motër që kam 6 vite që fal namazin rregullisht, por nuk jam e mbuluar. Kam bërë luftë të madhe me veten që arrita ta mposht me lejen e Allahut. Kam arritur në pikën ku unë dua të vë shaminë, por halli i madh me mua nuk më pranon bashkshorti. Ai nuk është besimtar i rregullt … është musliman i thjeshtë. Unë kam 21 vite martesë, kam dhe 2 fëmijë. Atyre nuk i pëlqen shumë që unë të vë shaminë, por nuk po më kundërshtojnë fëmijët. Problem e kam me burrin dhe me prindërit dhe me motrat dhe vëllezërit e mi. Më thonë që nëse ti vë shaminë nuk je më pjestare e familjes tonë. Unë a e kam haram të jem me një burrë që nuk është besimtar praktikant?! A duhet t’i pyes ato? Nuk e di sa e qartë jam tregu në parashtrimin e cështjes time, por vallahi jam në gjendje jo te mirë. Shaminë e dua pasi unë kam arritur në atë shkallë që të vë shaminë dhe e kam të qartë se cfarë gabimi jam duke bërë që nuk e kam vënë akoma shaminë.

***

Përgjigjja:

Motër e nderuar! Në radhë të parë të përgëzojmë për iniciativën dhe vullnetin tuaj për të përmbushur detyrimet tuaja si besimtare para Zotit. Nuk duhet të harrosh motër e nderuar se, Zoti nuk ia dhuron mirësinë e besimit dhe përkushtimit ndaj Tij, vetëm se një njeriu që Ai e do, ndaj dhe për këtë duhet të ndjehesh e lumtur, sepse të të dojë Krijuesi është dhurata më e madhe që njeriu mund të marrë nga kjo jetë.

Motër e nderuar! Padyshim që mbulesa e trupit të gruas muslimane, është një detyrim fetar, të cilin vetë Zoti ua ka bërë obligim besimtareve, kur Ai thotë: “Thuaju besimtareve që të ulin shikimet e tyre (nga e ndaluara), ta ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme) dhe të mos i shfaqin stolitë e tyre, përveç atyre që janë të dukshme. Le t’i mbulojnë kraharorët me mbulesat e tyre (shamitë e kokës) dhe të mos ua shfaqin stolitë e tyre, përveçse bashkëshortëve të tyre ose baballarëve të tyre, ose vjehërrve të tyre, ose bijve të tyre, ose djemve të bashkëshortëve të tyre, ose vëllezërve apo djemve të vëllezërve të tyre, ose djemve të motrave a grave të tyre…” (Nur: 31) Gjithashtu dihet se Profeti ﷺ ka treguar se, femrës muslimane, e cila ka mbushur moshën madhore, nuk i lejohet të shfaqet në publik, pra para njerëzve të huaj, veçse e mbuluar, me përjashtim të fytyrës dhe pëllëmbëve të duarve.

Mbulesa islame nuk është vetëm një shenjë e modestisë dhe dëlirësisë morale, por në radhë të parë një shenjë e bindjes ndaj vetë Zotit dhe padyshim detyrim gjatë kohës së faljes së namazit. Nisur nga kjo asnjë krijesë nuk ka të drejtë morale e as ligjore, të pengojë një besimtare që të përmbushë detyrimet e saj para Zotit, ndaj dhe Profeti ﷺ ka thënë se, askush nuk mund t’i bindet krijesës duke u treguar i pabindur ndaj Krijuesit. Në këtë drejtim duhet thënë se, është këmbëngulja dhe vullneti i fortë i besimtarit dhe përkushtimi dhe lutja drejtuar Zotit ato që ia lehtësojnë atij rrugën për të përmbushur një detyrim të caktuar. Në këtë kontekst ne jemi të mendimit se ju, duhet të bëni të gjitha përpjekjet e mundshme, me urtësi dhe butësi, për të bindur së pari bashkëshortin tuaj të pranojë këtë detyrim fetar. Rruga që duhet të ndiqni nuk është e lehtë dhe e shkurtër. Ju do tu duhet që edhe bashkëshortit e të afërmve tuaj tua predikoni fenë islame, në mënyrën sa më të bukur dhe të mençur, sepse kjo është në dobi të tyre në radhë të parë, por edhe lehtëson për ju kryerjen e detyrimeve islame, siç është vendosja e mbulesës islame. Ne shpresojmë se me shumë durim dhe maturi edhe pse nuk përjashtohen edhe acarime dhe përplasje të mundshme, ju do t’ia dilni mbanë ta kryeni këtë detyrim islam dhe njëkohësisht të mos i humbni të afërmit tuaj, por duhet këmbëngulje e vazhdueshme dhe vetëpërmbajte. Duke vlerësuar situatën tuaj, dhe duke marrë parasysh që largimi nga shtëpia, për shkak të shamisë tuaj, do t’iu vinte në një situatë kritike jetese, ne mendojmë se është më e përshtatshme, për rastin tuaj, që vendosja përfundimtare e shamisë nga ana juaj, të jetë një proces më i gjatë, por i pandërprerë deri në finalizimin e tij; “Prandaj frikësojuni Allahut sa të mundeni” (Tegabun: 16) Mos harroni se rruga e besimit shpesh nuk është e shtruar me lule, përkundrazi, por durimi dhe lutja e sinqertë dhe e pandërprerë bëjnë mrekulli.

Allahu e di më së miri!

Komisioni i Pyetjeve & Përgjigjeve pranë LHSH