Pyetja:

Një motër dëshiron që ta vendos mbulesën dhe këtë dëshirë e ka qe sa vite, mirëpo bashkëshorti nuk ka dëshirë. Që të dy janë besimtarë, falin namazin dhe agjërojnë. A duhet me vendos shaminë pa lejen e burrin apo jo?

***

Përgjigjja:

Allahu i bëftë edhe më të sinqertë çiftin bashkëshortor dhe i forcoftë sa më shumë në kuptimin dhe të praktikuarit e parimeve islame, pasi vetëm me Islam dhe zbatimin e ligjeve të tij, arrihet kënaqësia e Allahut dhe shpërblimi me xhenet e shpëtimi nga xhehenemi!

Edhe pse nuk është krejt lehtë të kuptohet se si një musliman i sinqertë, që falë namazin dhe agjëron ramazanin, pengon gruan e tij që ta shpreh edhe praktikisht ndershmërinë e saj, moralin e saj, ta ruajë xhelozinë e burrit të saj e mos të ekspozohet e zbuluar para të tjerëve, por vetëm para tij, thjesht pengon gruan ta respekton urdhrin e Allahut për mbulesë!!
Megjithatë, motra që është bindur për mbulesë, duhet ta respekton urdhrin e Allahut e jo të burrit. Çdoherë duhet dëgjuar burrin dhe duhet respektuar kërkesat dhe urdhrat e tij, përveç kur është në pyetje urdhri i dikujt që është Ligjvënës i legjitimitetit të burrit dhe udhëheqjes së tij, pra Allahut. Allahu vendosi ligjin që të respektohet burri, por jo në gjërat ku kundërshtohet ligji dhe urdhri i Allahut. Nuk ka respekt ndaj krijesës, nëse mëkatohet ndaj Krijuesit!

Urdhri për mbulesë është i pakompromis, andaj nuk duhet vonuar. Madje duhet nxituar gjatë këtyre ditëve të Ramazanit që të shfrytëzohet të pranguarit e shejtanëve dhe të vihet në vepër urdhri i Allahut të Madhërishëm.

Allahu mos e dhëntë, por nëse burri juaj pengon me çdo kusht dhe nuk ju lejon që në asnjë mënyrë ta përfillni këtë urdhër kuranor, atëherë keni të drejtë të kërkoni ndarjen nga burri dhe të mos e vazhdoni jetën me të. Edhe pse nuk besoj se gjendja e juaj do të arrijë në këtë nivel, pasi burri i juaj falet dhe agjëron e që këto sigurisht se i bën për Allah dhe shpreson Xhenetin e Tij, i njëjti besoj se posa ta kuptojë se Ai që ka urdhëruar për namaz dhe agjërim, po i njëjti ka urdhëruar edhe me mbulesë dhe se duhet përmbushur që të gjitha obligimet njësoj.
Allahu ju ndihmoftë që ta kapërceni këtë sa më lehtë dhe sa më shpejt!

Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku