Pyetja:
Disa studente të një universiteti udhëtojnë tre orë nga shtëpia për në ambientet e universitetit ku studiojnë. Dalja nga shtëpia është pas namazit të drekës, kurse mbërritja në ambientet e universitetit bëhet pasi ka përfunduar koha e namazit të ikindisë dhe ka hyrë koha e akshamit. Ata e kanë të pamundur të qëndrojnë gjatë udhëtimit për të falur ikindinë për shkak të numrit të tyre të madh dhe mungesës së një vendi të përshtatshëm për t’u falur. A u lejohet këtyre studenteve të bashkojnë namazin e ikindisë me namazin e drekës në shtëpitë e tyre, para se të nisën për në universitet? Nëse kjo nuk u lejohet pasi janë akoma në vendin rezident të tyre, si duhet të veprojnë?
***
Përgjigjja:
Tek katër medhhebet e fikhut islam, kushti për bashkimin e dy namazeve është që njeriu të jetë nisur për udhëtim dhe të jetë larguar nga qyteti apo fshati rezident. Ky kusht kuptohet qartë nga ajeti: ”Kur të udhëtoni, nuk është gjynah që ta shkurtoni namazin..” (Nisa, 101)
Transmeton Ibnu Umer se i Dërguari i Zotit ﷺ pasi ishte nisur për udhëtim, bashkonte mes namazit të akshamit dhe të jacisë. Që Profeti ﷺ t’i ketë bashkuar dy namaze pa u nisur për udhëtim, nuk ka ndodhur asnjëherë. Transmetohet se kur u nis për haxhin e lamtumirës, sa ishte në shtëpi ai fali namazin e drekës katër rekate. Mandej, kur mbërriti në Dhul Halife fali ikindinë dy rekate.
Por nëse rrethanat e këtyre studentëve janë si më sipër, nuk shoh problem që ato ta bashkojnë drekën dhe ikindinë në shtëpinë e tyre, por të mos i shkurtojnë. Por gjithashtu kjo të mos u bëhet zakon dhe ves. Një lëshim i tillë bëhet vetëm për situatën dhe rrethanat e sipërpërmendura dhe të ngjashme me to.
Transmeton Imam Muslimi se Abdullah ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë:”I Dërguar i Zotit ﷺ bashkoi drekën me ikindinë dhe akshamin me jacinë në Medine, pa qenë në gjendje alarmi dhe pa rënë shi.” Imam Neveviu në komentin e haditheve të Muslimit, e lejon bashkimin e dy namazeve por me kusht që kjo të mos kthehet në ves dhe zakon. Këtë mendim kanë një sërë dijetarësh të konsiderueshëm, si Ibnu Sirin, Esh’heb, pasuesit e imam Malikut etj…
Faktin që i Dërguari i Zotit ﷺ kishte bashkuar namazet e një dite, pa rënë shi dhe pa qenë të frikësuar dhe alarmuar, Ibnu Abasi e arsyeton me fjalët: ”Me këtë, ai deshi të mos ua bëjë fenë të vështirë shokëve të tij.”
Një përjashtim i tillë, edhe pse është kundër mendimit të imamëve të katër medhhebëve, lejohet për arsyet dhe rrethanat në të cilat ndodhen këto studente, bazuar në një nga parimet e sheriatit i cili vë theksin tek lehtësimi i vështirësive.
Zoti e di më mirë