Pyetje: 
Nëse një person betohet në Allahun se nuk do të shikojë diçka, por shprehja e përdorur është e përgjithshme dhe mund të përfshijë video, imazhe, libra ose revista ndërsa në momentin e betimit ai kishte për qëllim vetëm videot çfarë ndodh nëse më vonë i del papritur një imazh ose video e asaj gjëje dhe ai kthehet menjëherë pa e parë me qëllim, ose mbyll veshët e sytë që të mos shikojë apo dëgjojë?
A prishet betimi në këtë rast?
 Përgjigje:

Sipas mendimit më të saktë, në betim merret parasysh qëllimi i atij që bën betimin.
Një person mund të përdorë fjalë të përgjithshme, por të ketë për qëllim diçka të veçantë dhe në këtë rast, qëllimi është ai që e përcakton kuptimin e fjalëve të përdorura.

Prandaj, nëse qëllimi yt në momentin e betimit ka qenë vetëm për disa video ose pamje të caktuara, atëherë betimi yt vlen vetëm për atë që ke pasur për qëllim në atë moment, dhe jo për gjithçka që mund të përfshijë fjalët në mënyrë të përgjithshme.

Sa i përket rastit kur të shfaqet papritur një video ose imazh, dhe ti nuk e shikon me qëllim, por kthehesh menjëherë apo mbulon sytë ose veshët, atëherë betimi nuk prishet dhe nuk kërkohet kefaret (shlyerje) sipas mendimit më të fortë.

Kjo sepse akti që konsiderohet “shikim” është ai që bëhet me qëllim dhe me vazhdimësi, e jo ai që ndodh rastësisht përpara se njeriu ta largojë menjëherë shikimin.
Rastet e tilla hyjnë në kategorinë e veprimeve të paqëllimshme, për të cilat Kurani dhe Suneti tregojnë se nuk ka gjynah.

Veprim i paqëllimshëm është çdo fjalë ose vepër që një person i përgjegjshëm fetarisht (mukellef) e thotë ose e bën pa qëllim apo pa zgjedhje të vetëdijshme.

Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) ka thënë në librin Iʿlāmul-Muweqqiʿīn:

“Ai është betuar vetëm për veprime që janë brenda kontrollit të tij, ndërsa kjo çështje nuk është nën fuqinë e tij. Prandaj, ajo që i ka ndodhur në këto rrethana nuk përfshihet në betimin e tij, dhe ai nuk e kishte për qëllim ta pengonte veten nga ajo.”

Burimi: https://www.islamweb.net / Solli ne gjuhen shqipe: pergjigje.net