Betimi në emra të tjerë pos Allahut xh.sh.

182. I nderuar hoxhë! A konsiderohet betim të betohesh në emra të tjerë pos Allahut?

Përgjigjja: Betimi në diçka tjetër pos Allahut është i ndaluar, ngase nëpërmjet aktit të betimit ne shfaqim madhërimin e atij për të cilin betohemi, kurse madhërimi është adhurim, prandaj adhurimi nuk i bëhet askujt tjetër pos Allahut xh.sh.. Pejgamberi [sal-lAll-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Kush betohet në diçka pos Allahut, ai ka mohuar (Allahun) ose ka bërë shirk (ka shoqëruar dikë tjetër me Allahun në adhurim).”[1]

Në këtë ndalesë hyjnë të gjitha format e betimit, si p.sh. betimi në diellin, bukën, kokën, babanë, nënën, fëmijët, Qabenë, Pejgamberin, namazin, agjërimin, besën, nderin, e shumë e shumë shprehje të tjera që janë të përhapura në mesin e njerëzve. Pejgamberi [sal-lAll-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Allahu ju ndalon të betoheni në baballarët tuaj, andaj kush betohet, le të betohet në Allahun ose le të heshtë.”[2]

Transmetohet se Abdullah bin Mesudi ka thënë: “Më parë pranoj të betohem rrejshëm në Allahun sesa të betohem në dikë tjetër pos Allahut.”[3]

Betimi konsiderohet i vlefshëm nëse bëhet në emrin e Allahut, në njërin prej emrave të Tij ose në cilësitë e Allahut xh.sh., p.sh: Pasha Rrahmanin, pasha Fuqiplotin, pasha Krijuesin, etj..  Betimi në diçka tjetër pos Allahut xh.sh., përveçse është i ndaluar rreptësisht, ai nuk është as i vlefshëm, pra nuk konsiderohet betim. Kurse sa u përket ajeteve kur’anore ku Allahu xh.sh. betohet në krijesat e Tij, si: Pasha kohën, pasha lapsin, pasha agimin. pasha mëngjesin etj., Allahut të Lartësuar i takon të betohet në krijesat e Tij ashtu si dëshiron Ai, kurse krijesave të  Tij nuk u lejohet të betohen në diçka tjetër pos Allahut xh.sh..

Është obligim për çdo besimtar e besimtare që të ketë kujdes të mos betohet përveçse në raste kur e kërkon nevoja, ngase Allahu i Lartësuar na ka urdhëruar që të kujdesemi për betimet tona. Allahu xh.sh. thotë:

“Ruani betimet tuaja!” (Maide: 89)

Por edhe kur e kërkon nevoja të betohemi, duhet ta bëjmë vetëm në emrin e Allahut dhe të jemi të sinqertë në betimin tonë, ngase betimi i rrejshëm është po ashtu prej mëkateve të mëdha. Abdullah bin Amr transmeton se Pejgamberi [sal-lAll-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: ”Mëkatet e mëdha janë t’i bëhet Allahut shirk, mosrespektimi i prindërve, vrasja dhe betimi i rrejshëm.”[4]

Në këtë rast vlen të theksohet një dukuri tepër e shëmtuar që praktikojnë disa injorantë gjatë betimit të tyre. Disa njerëz kur kanë ndonjë gjë shumë të rëndësishme, që duhet të dëshmohet me anë të betimit, kërkojnë nga ai që betohet që gjatë betimit të tij, të shkelë me këmbën e tij mbi Kur’anin Famëlartë – Allahu na ruajttë!

Ky është mëkat i madh, madje njeriu mund të dalë prej feje, mund të bëjë kufër. Ndërsa vendosja e dorës mbi Kur’an gjatë betimit, edhe pse nuk ka bazë në fe sepse nuk e ka praktikuar Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem]  e as shokët e tij, por e kanë praktikuar disa kadilerë (gjykatës) të vonshëm për t’ia bërë sa më madhështor dhe me peshë betimin atij që betohet, themi se nuk ka dert inshaAllah sepse njerëzit këtë tashmë veç e praktikojnë në shenjë respekti për librin e Allahut dhe për ta vërtetuar edhe më shumë çështjen e betimit dhe seriozitetin e tij. Mendoj se nuk ka nevojë t’ua shtrëngojmë njerëzve në këtë çështje, por duhet t’u bëjmë me dije se betimi nuk është i lidhur me prezencën e Kur’anit e as me vendosjen e dorës në Kur’an. Por betimi, siç cekëm më lart, bëhet në emrat e Allahut xh.sh.. Allahu na udhëzoftë të gjithëve në rrugën e Tij të drejtë. Amin!

Allahu e di më së miri.

Dr.Shefqet Krasniqi

————————————————————

[1] Ebu Davudi, nr. 3251; Tirmidhiu nr. 1535, ka thënë: “Hadithi është hasen”.

[2] Buhariu, nr. 2679; Muslimi, nr. (1646) 3.

[3] E ka cekur Hejthemiu në Mexhmeu Zevaid 4/177 dhe ka thënë se e ka transmetuar Taberaniu në El-Kebir dhe zinxhiri i tij është i vërtetë. Gjithashtu e ka cekur Albani në Irva el-Galil 8/191 dhe e ka konsideruar sahih.

[4] Buhariu, nr. 6675.