Pala e Ndihmuar (et-taifetul-mensure)

I Dërguari i Allahut, në hadithin e Muavijes, ka thënë:

“Do të vazhdojë të qëndrojë një grup prej umetit tim i kapur pas së vërtetës. Atëherë nuk u bën dëm askush që i braktis (nuk i ndihmon) apo i kundërshton. Kështu ata do të vazhdojnë të jenë ngadhnjimtarë, triumfues e të shfaqur mes njerëzve, derisa të vijë Dita e Gjykimit.”
(Muslim)

Gjithashtu, në një hadith tjetër, të cilin e transmeton Theubani, i Dërguari i Allahut ka thënë:

“Do të vazhdojë një grup prej umetit tim të jetë i shfaqur e ngadhnjimtar me të vërtetën, të cilin nuk e dëmton ai që e braktis dhe nuk e ndihmon. Ai do të vazhdojë të qëndrojë i pandryshueshëm derisa të vijë Dita e Gjykimit.”
(Transmeton Muslimi)

Këtë hadith e kanë transmetuar edhe mjaft të tjerë nga shokët e Pejgamberit, gjë e cila tregon se hadithi është i njohur, ose mutevatir.


Kush janë “pala e ndihmuar”?

Dijetarët kanë thënë se “pala e ndihmuar” janë të diturit rreth hadithit të Muhamedit. Prej dijetarëve që e kanë thënë këtë, përmendim këtu:

  • Abdullah ibnul Mubarek

  • Ali ibnul Medini

  • Jezid ibën Harun

  • Ahmed ibën Hanbel

  • Ahmed ibën Sinan

  • Muhamed ibën Ismail el-Buhari
    etj.

Të diturit rreth hadithit të Pejgamberit janë “pala e ndihmuar”, sepse ata e njohin Sunetin dhe çdo gjë që ka të bëjë me hadithin. Ata janë njerëzit më të ditur rreth Sunetit të Pejgamberit, udhëzimit të tij, sjelljes e moralit të tij, luftrave të tij dhe të çdo gjëje që lidhet me të.

Gjithashtu, sepse ata e praktikojnë dhe e zbatojnë Sunetin dhe i japin përparësi atij para mendimeve, thënieve dhe shijeve të njerëzve. Kjo për faktin sepse atë e njohin dhe pas tij do të jenë të kapur. Ndërkohë që të tjerët, të cilët nuk e njohin Sunetin dhe nuk merren me studimin e tij, janë fanatikë për mendimet dhe thëniet e tyre apo të mësuesve e të dijetarëve të tyre, të cilat bien ndesh me të.


Pjesëmarrja e masës së muslimanëve

Në palën e ndihmuar dhe grupin e shpëtuar përfshihet edhe masa e muslimanëve që pasojnë dijetarët e hadithit në besim, ibadet, rregulla e sjellje, por që nuk janë të ditur. Sepse edhe në kohën e Pejgamberit, njerëzit nuk kanë qenë të gjithë dijetarë, por ka pasur të ditur dhe të paditur.

Imam Neveviu në Sherh Sahihul Muslim rrëfen se Kadi I’jad, në lidhje me thënien e Imam Ahmedit, ka thënë:

“Ahmedi, përmes fjalës së tij, ka pasur për qëllim ‘ehlus-suneh vel xhema’ah’, të cilët janë të gjithë ata që kanë besimin e ‘ehlil hadithit’ (të diturit rreth hadithit dhe pasuesit e tij).”

Meqenëse “ehlu-suneh uel xhema’ah” e njohin hadithin e saktë të Pejgamberit, punojnë me të dhe i japin përparësi atij përpara logjikës dhe thënieve të njerëzve të humbur, si dhe i largohen bidateve, janë quajtur “ehlul hadith”.


Hoxhë Ismail Bardhoshi