Pyetja:

Kam një lidhje relativisht të gjatë dhe ka dy vite që kemi lidhur martesë fetare e dasmën me kismet do ta bëjmë këtë vit. Megjithatë, unë nuk po arrij të gjej qetësi dhe kjo po më kushton shumë. Burri është shumë i dhënë pas punës (mbase është i detyruar nga kushtet), punon shumë dhe sikur në radhë të parë e ka atë, pastaj vijnë të tjerat. Unë nuk e di ku jam në listën e tij. Gjithmonë i ankohem për një kujdes më të madh (në raste “ekstreme” të moskujdesit, se me ato të zakonshmet jam pajtuar). Ai sikur nuk e kupton nevojën time për kujdesin e tij dhe shpesh më thotë që unë i kam të gjitha, s’kam nevojë për kujdesin e tij.
Unë i kërkoj kujdes, mbështetje morale, shoqëri të tijën ndërsa ai më thotë “përkushtoju punës, puno”. Edhe unë punoj, në një punë shteti. Puna ime është goxha e lodhshme dhe e ngarkuar me stres por fitoj pak, dihet standardi ynë. Ndonjëherë kam përshtypjen sikur atij vetëm kjo i intereson. Unë mundohem mjaft të arrij në lartësinë që ai kërkon, edhe vetë kam dëshirë të profesionalizohem edhe më tej, punoj dhe ndjek kurse të ndryshme gjuhësh që të jem konkurrente në treg, po magjistroj, por asgjë sikur nuk është e mjaftueshme për të sepse nuk fitoj edhe aq. Sikur vetëm kjo të kishte rëndësi. Ndonjëherë ndjehem shumë keq, dhe e vetmuar. Nuk po di si të sillem me të. Kur nuk kujtohet për mua për ndonjë gjë të rëndësishme po mërzitem dhe nuk po i flas, po sillem në kundërshtim me dëshirën time.
Po të organizoj unë ndonjë dalje jemi në rregull, jemi mirë. Unë e marr gjithmonë në telefon, sikur duhet gjithmonë unë të mbaj lidhjen gjallë, po të mbetet për atë mjafton siç më thotë ” hamë bukë bashkë dhe zgjohemi pranë njëri-tjetrit” (kjo është ajo që po bën ai për mua).
A kam të drejtë të kërkoj më shumë kujdes nga ai?
Si ta arrij qetësinë shpirtërore që po më mundon kaq shumë?
Për më shumë, nëse ankohem për këto gjëra, që shpesh ia kam thënë dhe s’ka ndërmarrë pothuaj asgjë) fajet i kam unë, sepse s’jam në terezi, se jetoj një jetë me ëndrra, nuk jam objektive, jam problematike, mërzitem për gjëra të kota, d.m.th problemi qëndron tek unë.

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed ﷺ, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Gruaja ka një fjalor dhe sjellje tërheqëse të cilat e bëjnë njeriun që ta dojë shtëpinë dhe dëshiron të qëndrojë me gruan dhe fëmijët e tij, e nëse gruaja nuk ia përgatit burrit të saj një ambient të qetë e të mirë brenda shtëpisë, kjo e bën burrin që të qëndrojë në shtëpi aq sa ka nevojë. Pastaj, ti duhesh t’i hulumtosh shkaqet të cilat e bëjnë burrin tënd të mos qëndrojë në shtëpi me ty, ka mundësi që ti je shkaktare për shkak të sjelljeve të tua të këqija apo ambienti nuk i pëlqen dhe shkaqe të tjera. Ti duhet ta pyesësh burrin tënd direkt (nëse ti i kryen të gjitha obligimet), se cilat janë shkaqet të cilat e shtyjnë burrin tënd që mos të qëndrojë në shtëpi me ty. Kurse sa i përket burrit, i them atij: O vëlla musliman: Nëse kërkimi i rizkut (furnizimit) është shkak që ti të largohesh nga shtëpia jote dhe familja jote e që gruaja jote ankohet se ti nuk je duke i kryer obligimet e tua ndaj tyre, dije se kjo gjendja jote nuk është normale dhe ti pas një kohe do të shohësh se ke mendime të tjera, kurse gruaja jote mendime të kundërta.

Dr. Muhamed Es-Sabag, ka thënë: “Angazhimet janë të ndryshme, shumica e angazhimeve janë për dynja dhe për fitimin e parave, mirëpo ka edhe një lloj angazhimi ku njeriu angazhohet për të bërë davet (për të thirrur në Islam) dhe për t’ia përmirësuar njerëzve gjendjen e tyre, dhe kjo është gabim për shkak se njeriu është i obliguar së pari të përmirësojë gjendjen e familjes së tij. Allahu i Madhëruar thotë: “O ju që besuat, ruajeni veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë (zjarrin) e mbikëqyrin engjëjt e rreptë e të ashpër që nuk e kundërshtojnë Allahun për asgjë që Ai i urdhëron dhe punojnë atë që janë të urdhëruar.” (Tahrim, 6) dhe ka thënë: “Urdhëro edhe faljen e namazit në familjen tënde dhe ji i qetë e i vazhdueshëm në përmbushjen e tyre.” (Ta Ha, 132)
Burri e ka për obligim të qëndrojë me familjen e tij, dhe jo të jepet vetëm pas dynjasë e të harrojë familjen. Allahu e udhëzoftë në rrugën e drejtë.”