Pyetja:

Çfarë duhet të themi gjatë tërmetit?

***

Përgjigjja:

Gjatë tërmeteve, eklipsit, erës së fortë ose vërshimeve, ne duhet që të pendohemi tek Allahu, t’i bëjmë dua atij, ta lusim për mirëqenie, ta përkujtojmë atë shumë dhe t’i kërkojmë falje.

Profeti ﷺ kishte thënë në kohën e një eklipsi: “Kur ta shihni atë, atëherë kthejuni përkujtimit të Allahut dhe thirreni atë dhe kërkoni për faljen e tij” [1]

Është gjithashtu mustehab ( e pëlqyer) që të tregohet mëshirë dhe dhembshuri ndaj të varfërve dhe nevojtarëve, dhe që tu jepet lëmoshë, sepse Resulullahu ﷺ ka thënë:“Mëshironi, që të mëshiroheni” [2]

Dhe ai tha: “Ata që tregojnë mëshirë do tu tregohet mëshirë nga më i Mëshirshmi. Mëshironi ata që janë në tokë do tu mëshirojë Ai që është në qiell” [3]

Ai gjithashtu tha:

“Ai i cili nuk mëshiron nuk mëshirohet.” [4]

Na është rrëfyer nga Omer Ibën AbdulAzizi se ai u shkruante emirëve të tij që të japin lëmoshë kur ndodhnin tërmetet.

Njëra prej mënyrave për të qenë të sigurt dhe të shëndoshë prej të gjitha të ligave është që ata në autoritet të nxitojnë që të ndalojnë të padisiplinuarit dhe t’i detyrojnë ata që t’i kapen të vërtetës, dhe që ta zbatojnë ligjin e Allahut në mesin e tyre, dhe të urdhërojnë në të mirë dhe të ndalojnë nga e keqja, sikurse thotë Allahu:

“Besimtarët dhe besimtaret janë të dashur për njëri-tjetrin, urdhërojnë për të mirë, e ndalojnë nga e keqja, e falin namazin dhe japin zeqatin, respektojnë Allahun dhe të dërguarin e Tij. Të tillët do t’i mëshirojë All-llahu. All-llahu është ngadhënjyes, i urtë.” (Et-Teube: 71)

(U lejuan të luftojnë) Ata, të cilët vetëm pse thanë: “Allahu është Zoti ynë!” u dëbuan prej shtëpive të tyre pa kurrfarë të drejte. E sikur Allahu të mos i zmbrapste disa me disa të tjerë, do të rrënoheshin manastiret, kishat, havrat e edhe xhamitë që në to përmendet shumë emri i Allahut. E Allahu patjetër do ta ndihmojë atë që ndihmon rrugën e Tij, se All-llahu është shumë i fuqishëm dhe gjithnjë triumfues. (Ai ndihmon) Ata të cilët kur Ne u mundësojmë vendosjen në tokë, e falin namazin, japin zeqatin, urdhërojnë për të mirë dhe largojnë prej të keqes. Allahut i takon përfundimi i çështjeve. (El-Haxh: 40-41)

Shejh Bin Baz; Mexhmu’ Fetaua 9/150-152

Përktheu: Meriton Muriqi

Burimi http://www.islamifejaevertete.com/

——————–

[1] Buhariu dhe Muslimi

[2] Ahmedi

[3] Tirmidhiu

[4] Buhariu