Pyetja:

Jetoj në Dubai, ku ka një numër të madh të shi’itëve. Ata thonë se ajo çfarë bëhet nga ana e tyre në ditën 9 dhe 10 të muajit Muharrem, është me vend dhe provë se e duan Husejnin (nipin e Pejgamberit ﷺ) dhe Jakubin, dhe përmendin vajtimin e Jakubit për Jusufin. Ju lutem, më tregoni a është në rregull kjo rrahje e gjoksit që ata bëjnë, apo jo?

***

Përgjigjja:

Ajo çfarë bëjnë shi’itët në ditën e Ashures nga rrahja e gjoksit, shuplakja e vetvetes, goditja e kraharorit me zinxhirë dhe prerja e kokës me shpatë për të derdhur gjak, të gjitha janë bidate që s’kanë bazë në Islam. Këto gjëra janë të liga dhe janë ndaluar nga Pejgamberi ﷺ, i cili nuk urdhëroi umetin e tij për ndonjë nga këto apo të ngjashme për të shënuar vdekjen e një udhëheqësi apo rënien e ndonjë dëshmori, pavarësisht statusit që ai mund të ketë pasur. Gjatë jetës së Pejgamberit ﷺ, ranë dëshmorë një numër Sahabësh dhe ai ﷺ qau për ta (Hamza, Zejd ibn Haritha, Xhafer ibn ebi Talib, Abdullah ibn Rawaaha), por nuk bëri asnjë nga veprimet që i bëjnë këta njerëz. Po të ishte mirë, ai ﷺ do ta kish bërë para nesh. Jakubi as nuk i mëshoi gjoksit, as nuk gërvishti fytyrën, as nuk derdhi gjak, as nuk e bëri ditë vajtimi apo festival ditën e humbjes së Jusufit. Jakubi e kujtonte të dashurin e vet dhe pikëllohej, dhe për këtë reagim nuk mund të fajësohet asnjeri. Këto veprime janë të ndaluara, meqë janë të trashëguara nga Xhahilijeti (koha e injorancës para Islamit).
Abdullah ibn Mes’udi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), ka thënë: “Pejgamberi ﷺ tha: ‘Nuk është prej nesh ai, që shuplak fytyrën e vet, shqyen teshat e veta, apo qan me vajtim të Xhahilijetit.” [1]
Këto gjëra të qortueshme që i bëjnë shi’itët në ditën e Ashures, nuk kanë bazë në Islam. Pejgamberi ﷺ nuk i bënte e as ndonjë nga Sahabët e tij. Po ashtu, asnjë nga Sahabët e tij nuk vepronte kësisoj, kur Pejgamberi ﷺ apo dikush tjetër vdiq, ndonëse humbja e Pejgamberit ﷺ qe më e madhe sesa vdekja e Husejnit.
Hafidh Ibn Kethir tha: “Çdo musliman duhet të ndiejë dhimbje për vrasjen e Husejnit, meqë
ai qe një nga udhëheqësit e muslimanëve, një nga dijetarët e Sahabëve, dhe i biri i bijës së të Dërguarit të Allahut ﷺ, e cila qe më e mira nga bijat e tij ﷺ. Ai qe një adhurues i devotshëm, një burrë trim e bujar. Por, s’ka gjë të mirë në atë çfarë bëjnë shi’itët duke shprehur mërzinë, dhe kjo, në fakt, bëhet vetëm sa për sy e faqe. Babai (Aliu Allahu qoftë i kënaqur me të!), i tij (Husejnit) qe më i mirë se ai dhe u vra, por ata nuk shënuan vdekjen e tij si një përvjetor
ashtu siç bëjnë me vdekjen e Husejnit. Baba i tij u vra në ditën e Xhumasë teksa po dilte nga xhamia, pas namazit të sabahut, në ditën e shtatëmbëdhjetë të ramazanit, në vitin 40H. Uthmani, (Allahu qoftë i kënaqur me të!), sipas Ehlus- Sunetit dhe Xhematit, qe më i mirë se Aliu dhe ai u vra, kur u rrethua në shtëpinë e tij gjatë ditëve të Teshrikut në Dhul-hixheh të vitit 36H, duke iu prerë fyti nga njëra venë në tjetrën, por njerëzit nuk e shënuan
përvjetorin e vdekjes së tij. Umer ibn Khattaab (Allahu qoftë i kënaqur me të!), që më i mirë se Aliu dhe Uthmani, dhe u vra teksa po qëndronte në mihrab, por njerëzit nuk e shënuan përvjetorin e vdekjes së tij. Ebu Bekr es-Siddik (Allahu qoftë i kënaqur me të!), qe më i mirë
se ai, por njerëzit nuk e shënuan përvjetorin e vdekjes së tij. I Dërguari i Allahut ﷺ është udhëheqësi i bijve të Ademit  në këtë botë e në tjetrën, dhe Allahu e mori atë ashtu siç vdiqën dhe pejgamberët para tij, dhe askush nuk mori datat e vdekjes së tyre si përvjetorë në të cilët do të bënin atë çfarë bëjnë këta shi’itë injorantë në datën e vrasjes së Husejnit. Më së miri çka mund të bëjmë, kur të kujtojmë këto dhe fatkeqësitë e ngjashme, është ajo që përcolli Alib ibn Husejn nga gjyshi i tij, i Dërguari i Allahut ﷺ, i cili tha: S’ka musliman që goditet nga ndonjë fatkeqësi – edhe nëse i ka ndodhur motit – dhe, kur ta kujtojë atë, thotë: ‘Vërtet, ne jemi të Allahut dhe Atij do t’i kthehemi’ (Inna lilaahi ue inna ilejhi raaxhi’ûn) e të mos i jep Allahu një shpërblim si të ditës kur u godit me të’. [2] [3]
Dhe ai (Ibn Kethiri) tha: “Raafidhat (shi’itët) shkuan në ekstrem në shtetin e Beni Buwejh dhe në vendet përreth në vitin 400. Në ditën e Ashures, në Bagdad dhe në qytete të tjera rriheshin daullet, nëpër rrugë dhe tregje shpërndahej rërë e kashtë, thasët vareshin në dyqane, dhe njerëzit shfaqeshin të pikëlluar. Shumë syresh nuk pinin ujë atë natë në shenjë simpatie ndaj Husejnit, sepse ai u vra ndërsa ishte i etur. Pastaj gratë dilnin me fytyra të zbuluara dhe vajtonin e u mëshonin fytyrave dhe gjokseve me shuplakë, duke ecur këmbëzbathur nëpër tregje, dhe të tjera bidate të urryera. Qëllim i këtyre veprimeve ishte të kontestohej vlefshmëria e shtetit të Benu Umejëve, meqë Husejni u vra gjatë kohës së tyre. Në ditën e Ashures, nasibijtë e Sirisë bëjnë të kundërtën e asaj çfarë bëjnë shi’itët. Ata ziejnë grurë në këtë ditë, bëjnë gusël (lahen) e parfumohen, veshin teshat më të mira që kanë, dhe e festojnë këtë ditë me përgatitje ushqimesh të llojllojshme dhe shprehin gëzim, me qëllim që t’i neveritin shi’itët dhe të dallojnë prej tyre. Festimi i kësaj dite është bidat dhe, po ashtu, shënimi i përvjetorit të saj me vajtim është bidat. Prej këtu, Shejhul-Islam Ibn Tejmije tha:
‘Për shkak të vrasjes së Husejnit, shejtani i bëri njerëzit të sajonin dy bidate: bidatin e vajtimit në ditën e Ashures, duke i mëshuar fytyrës, duke qarë e duke bërë panegjirik (lëvdata të tepruara), dhe bidatin e gëzimit dhe festimit. Pra, disa nisën vajtimin, disa festimin, ashtu që e bënë ditën e Ashures ditë për bartje të surmes, larjes, blerjes së gjërave për familjen dhe përgatitjen e ushqimeve të posaçme. Dhe çdo bidat është devijim. Asnjë nga katër imamët tonë apo ndonjë tjetër (dijetar) nuk i konsideroi të pëlqyeshme këto gjëra”. [4]

Mund të thuhet se këto veprime të urryera inkurajohen nga armiqtë e Islamit, me qëllim që të arrijnë synimin e tyre dashakeq të shtrembërimit të imazhit të Islamit dhe pasuesve të tij. Lidhur me këtë, Musa el-Musawi në librin e tij esh-Shi’ah wel-Tas’hîh thotë: “Pa dyshim se goditja me shpatë dhe prerja e kokës në vajtimet për Husejnin në ditën e dhjetë të muharremit mbërriti në Iranin, në Irak dhe në Indi gjatë okupimit anglez të këtyre vendeve. Britanikët eksploatuan injorancën dhe naivitetin e shi’itëve si dhe dashurinë e tyre për Husejnin duke i mësuar ata t’u binin kokave të tyre me shpata. Deri vonë, ambasadat britanike në Tehran dhe në Bagdad sponsorizonin paradat Husjenije në të cilat shfaqej ky spektakël i shëmtuar. Objektivi i imperialistëve britanik në zhvillimin e këtij spektakli të shëmtuar ishte që të jepnin një arsyetim të pranueshëm për popullin britanik dhe për shtypin e lirë, duke i paraqitur popujt e këtyre vendeve si egërsira që kanë nevojë të shpëtohen nga injoranca dhe egërsia e vetë atyre. Imazhet e paradave në rrugë, ku mijëra njerëz godasin kokat e veta me shpata, shfaqeshin në gazetat britanike dhe evropiane, ndërsa politikanët justifikonin kolonizimin e këtyre vendeve, duke u thirru në detyrën humane për t’i kolonizuar këta popuj me kulturë të këtillë, në mënyrë që të udhëhiqen drejt qytetarisë dhe përparimit. Thuhet se, kur Jasin el-Hashimi, kryeministër i Irakut në mandatin e fundit, vizitoi Londrën për të negociuar me britanikët lidhur me përfundimin e mandatit, britanikët i thanë: ‘Ne gjendemi në Irak për t’i ndihmuar popullit irakian të përparojnë dhe që t’i shpëtojmë nga egërsia’. Kjo e hidhëroi Jasin el-Hashimin dhe ai, i zemëruar, lëshoi sallën ku po mbaheshin negociatat. Por, britanikët i kërkuan falje me mirësjellje dhe e lutën atë të shikonte një dokumentar për Irakun, që ishte një film rreth marshimit Husejnij në rrugët e Nexhafit, Kerbelasë dhe Kazimijes, ku shfaqeshin pamje të tmerrshme të njerëzve që goditnin vetët e tyre me thika e zinxhirë. Sikur britanikët donin t’i thoshin: A do t’ia bënin këtë vetes së tyre njerëzit e edukuar që kanë sadopak njerëzi?!” (Mbarim citati)

Islamqa.info

———————————————-

[1] Buhariu (1294) dhe Muslimi (103)

[2] Ahmedi dhe Ibn Maxhe

[3] Bidaajeh wen-Nihaajeh 8/221

[4] Minhaxh es-Sunneh 4/554