Pyetja: Kam një pyetje a mundesh të ma shpjegosh çfarë është namazi e duhasë se shumë shpesh po degjoj për këtë namaz edhe kur duhet me e falë dhe çfarë vlere ka?

Përgjigje: Falenderimi i takon Allahut.
Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Tij.

Namazi i duhasë (i paraditës) është namaz vullnetar, është i pëlqyeshëm të falet në kohën e duhasë (paradites).

Quhet ndryshe edhe namazi Euabijn (i atyre që kthehen), ashtu siç është në hadithin e Ebi Hurejra se i Dërguari i Allahut -salallahu alejhi ue selem- ka thënë: “Faljen e namazit të duhasë e ruajnë vetëm ata që pendohen. Ai është namazi i të penduarve.” [Ibn Huzejme, Hakimi, Taberaniu, e saktësoi Albani.]

Për mirësinë e namazit të duhasë kanë ardhur disa hadithe, po përmend këtu:
Hadithin e Ebi Dherri se Profeti -salallahu alejhi ue selem- ka thënë:

“Çdo ditë në të cilën lind dielli, secili prej jush duhet të japë sadaka për çdo nyje (kockash) të trupit të tij. Në çdo tesbih (thënia ‘subhanallah’) ka sadaka, në çdo tehmid (thënia ‘elhamdulilah’) ka sadaka, në çdo tehlil (thënia ‘la ilahe il Allah’) ka sadaka, në çdo tekbir (thënia ‘Allahu ekber’)
ka sadaka, këshillimi për të mirën dhe ndalimi nga e keqja është sadaka dhe mjaftojnë si shlyerje për të gjitha këto, dy rekate që falen paradite.” [Muslimi]

Koha e namazit të duhasë?

Koha e Namazit të duhasë është që kur dielli të jetë ngritur në gjatësinë e një shtize, d.m.th. çerek ore pasi të ketë dalë dielli deri para zeualit (mesit të ditës, kur dielli të ketë arritur në pikën e tij kulmore), dhjetë apo pesë minutave (para zeualit), sepse ky namaz është namaz i paradites.
Koha më e mirë për faljen e tij është kur dielli bëhet i nxehtë.
I Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem- ka thënë:

“Namazi i pendimtarit duhet të falet (në kohën) kur deveja e shkëputur nga qumështi ta ndiejë nxehtësinë e diellit.” [Muslimi.]

Numri i rekateve të namazit të duhasë

Numri më i vogël i rekateve të tij është dy. Argumentet për faljen e dy rekate e kemi përmendur tek hadithi që flet për mirësinë e namazit.

Ndërsa maksimumi mendimi më i saktë është që nuk është se ka ndonjë kufi. Por lejohet që të falen dy rekate, katër, tetë edhe më shumë. Bazuar në hadithin e A’ishes – Allahu qoftë i kënaqur me të- se u pyet për numrin e rekateve që falte Profeti -sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem- për namazin e Duhasë, ajo u përgjigj:
“Ai falte katër rekate dhe ndonjëherë kur dëshironte falte më shumë, aq sa dëshironte Allahu.” [Transmetuar nga Muslimi, 719]

Allahu e di më së miri.

/AdelinaKucana/