Përgjigjja:
Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të Dërguarin e Tij.

– Incesti është marrëdhënia seksuale midis dy personave që janë të ndaluar të martohen mes tyre për shkak të lidhjeve të ngushta familjare, si lidhjet e gjakut, gjidhënies ose martesës.
Në Islam, këto lidhje janë të shenjta dhe të paprekshme dhe incesti (marrëdhënia seksuale mes familjarëve të afërt) është rreptësisht i ndaluar.
Allahu në Kuran e ka specifikuar qartë këtë ndalesë:
“Ju janë ndaluar nënat tuaja, bijat tuaja, motrat tuaja, hallat tuaja, tezet tuaja, vajzat e vëllezërve tuaj, vajzat e motrave tuaja, me nënat tuaja që ju kanë dhënë gji, motrat nga gjiri, nënat e grave tuaja (vjehrrat) dhe vajzat që janë nën kujdesin tuaj e të lindura (prej tjetër babai) nga gratë tuaja me të cilat patët kontakt, e nëse nuk keni pasur kontakt me to (me gratë), atëherë s’ka pengesë (të martoheni me ato vajza). Ju është ndaluar martesa me gratë e bijve tuaj që janë të lindjes suaj (jo të bijëve të adoptuar), dhe të jeni të martuar njëherazi me dy motra, përveç rasteve që kanë kaluar.” [En-Nisa: 23]
Kjo ndalesë përfshin çdo lidhje qoftë kjo për shkak të lidhjes farefisnore, të gjidhënies dhe të lidhjeve me martesë. Veprimet e incestit konsiderohen si një prej mëkateve të mëdha dhe shkatërruese për familjen.

– Pedofilia është një sjellje abuzive ose tërheqje seksuale ndaj fëmijëve (të miturve) që ende nuk kanë arritur pjekurinë fizike dhe emocionale dhe çdo veprim që kërkon të shfrytëzojë seksualisht një fëmijë, pavarësisht nga qëllimi apo situata.
Në Islam, çdo marrëdhënie që cenon fëmijët është rreptësisht e ndaluar dhe mëkat i madh. Martesa, sipas rregullave fetare, mund të ndodhë vetëm kur një person ka arritur pjekurinë fizike dhe mendore dhe është i aftë për përgjegjësi martesore. Marrëdhëniet me një fëmijë janë të paligjshme dhe të papranueshme, pasi nuk përmbushin këto kritere themelore. Çdo sjellje e tillë është një krim dhe mëkat i madh.

– Të dyja këto veprime – incesti dhe pedofilia – janë mëkate që shkaktojnë zemërimin e Allahut dhe ndotin shpirtin e vepruesit; shkatërrojnë lidhjet familjare dhe e dëmtojnë shoqërinë dhe janë abuzim i dinjitetit së njeriut që lenë pasiguri dhe trauma të thella tek viktimat. Islami, si fe që synon ruajtjen e nderit, familjes dhe pjesëtarve të saj, i ndalon rreptësisht këto praktika dhe parashikon masa të ashpra për parandalimin dhe ndëshkimin e tyre.
– Incesti dënohet si zina (imoralitet) nëse ndodh me konsensus dhe si përdhunim nëse ndodh me forcë. Në varësi të rrethanave, dënimi përfshin ndëshkime të ashpra të caktuara nga Sheriati.
– Pedofilia konsiderohet një krim dhe shkelje e të drejtave të fëmijës dhe dënohet ashpër për të mbrojtur të miturit nga çdo formë abuzimi.
Islami i jep rëndësi të madhe mbrojtjes së fëmijëve dhe forcimit të marrëdhënieve të shëndosha familjare. Kjo përfshin edukimin e fëmijëve, mbrojtjen e tyre nga çdo formë dhune dhe abuzimi, si dhe ndërtimin e një mjedisi të sigurt dhe të dashur për ta.
Nëse dikush përballet me raste të tilla apo di për situata të ngjashme, duhet të kërkohet ndihmë. Islami na mëson të jemi mbrojtës të të drejtave dhe të mos heshtim për padrejtësitë.

Allahu e di më së miri!

Adelina Kuçana (https://t.me/AdelinaKucana)