Pyetja:

Cila është dispozita e agjërimit me vështirësi në udhëtim?

***

Përgjigjja:

Nëse në atë agjërim ndien vështirësi jo të madhe, atëherë është mekruh (i urryer) ai agjërim, sepse kur Profeti ﷺ pa një njeri, të cilit i kishin bërë hije dhe të gjithë njerëzit ishin mbledhur rreth tij, pyeti: “Si është puna me këtë?” I thanë: Është duke agjëruar. Ai tha: “Nuk është mirësi agjërimi gjatë udhëtimit.” [1]

Por nëse ndjen vështirësi të madhe, atëherë e ka uaxhib (detyrë) ta prish agjërimin, sepse kur të Dërguarit të Allahut ﷺ i erdhën disa njerëz dhe iu ankuan se është duke i rënduar agjërimi, ai e prishi agjërimin. Pastaj e lajmëruan se disa vetë nuk e kanë prishur agjërimin, ai tha: “Ata janë mëkatarë, ata janë mëkatarë.” [2]

Mirëpo ai që nuk ndjen ndonjë vështirësi, më mirë është të agjërojë duke marrë si shembull Profetin ﷺ që agjëronte.

Ebu Derdaja (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: “Ishim me Profetin ﷺ në udhëtim gjatë Ramazanit, në një nxehtësi të ashpër. Askush prej nesh nuk agjëronte përveç Profetit (alejhi selam) dhe Abdullah ibn Reuahas.” [3]

Shejkh Muhamed Ibn Salih El-Uthejmini, “Kushtet e fesë”

——————————————————————————

[1] Buhariu dhe Muslimi.

[2] Muslimi.

[3] Buhariu dhe Muslimi.