Larja e të vdekurit

Para se të qefinoset e varroset, i vdekuri është vaxhib (detyrim) që të lahet nga njëri prej familjarëve ose të afërmve të tij ose nga ndonjë musliman tjetër. Edhe Profeti (Paqja qoftë mbi të!), trupi i të cilit ishte i pastër qelibar, u la pasi ndërroi jetë.

Mënyra e larjes

Për të larë të vdekurin mjafton që: uji të përfshijë të gjithë trupin, të hiqen prej tij nexhaset (ndyrësirat e dy rrugëve të jashtëqitjes dhe ngjashëm) nëse ka dhe të kihet kujdes që të mbulohen pjesët e turpshme gjatë larjes.

Është mustehab (pëlqehet) të merren parasysh këto gjëra:

 

Lahet i gjithë trupi i të vdekurit me ujë, duke bërë kujdes që aureti i tij të jetë i mbuluar

  1. Të mbulohet aureti (zona intime e trupit të të vdekurit) midis kërthizës dhe gjurit, pasi të jetë zhveshur prej rrobave të veta.
  2. Personi që bën larjen, të mbajë në dorë doreza ose një leckë, teksa po e lanë auretin e të vdekurit.
  3. Larja të fillojë duke hequr nexhasen (ndyrësinë) dhe të këqijat e tjera nga i vdekuri.
  4. Pastaj lahen gjymtyrët e abdestit [të të vdekurit], sipas radhës së njohur.
  5. Pastaj lahet koka dhe pjesa tjetër e trupit. Është mirë që të fërkohet një herë me bimë aromatike ose sapun, pastaj t’i hidhet uji.
  6. Pëlqehet që në fillim të lahet ana e djathtë e më pas ana e majtë.
  7. Pëlqehet që larja të përsëritet tri herë a më shumë, nëse e kërkon nevoja, siç i ka porositur Profeti (Paqja qoftë mbi të!) gratë që po lanin vajzën e tij të vdekur, Zejnebin (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “Lajeni tri, pesë a më shumë herë, nëse e shihni të arsyeshme.” (El-Bukhari 1195).
  8. Mund të vendoset pëlhurë, pambuk apo diçka tjetër në pjesët intime para dhe mbrapa, në veshë, në hundë dhe në gojë, në mënyrë që të mos dalë nga trupi ndonjë papastërti a gjak.
  9. Pëlqehet që i vdekuri të parfumohet gjatë larjes dhe pas saj. Profeti (Paqja qoftë mbi të!) i urdhëroi gratë që po lanin trupin e së bijës, që në larjen e fundit të vendosnin [në ujë] kamfur (një lloj parfumi). (El-Bukhari 1195, Muslimi 939).

https://imuslimguide.com/sq/janazah/2