Pyetja:

Cilat gjëra të pengojnë të mos bësh mëkat, a ka diçka që ta ndalon nga punët e këqija, e kam fjalën për pengesa që të vijnë nga brendia, nga zemra e shpirti, a mund t’i arrij ato?

***

Përgjigjja:

Falënderimi i takon Allahut të madhëruar, paqja dhe mëshira e Tij qofshin mbi të Dërguarin ﷺ dhe ithtarët e tij:

Dijetarët kanë përmendur katër gjëra në të cilat duhet ta mbajë mendjen njeriu para se të bëj një mëkat. Do t’i përmendi ato në formë të shkurtër, duke e lut Allahun që të më bëjnë dobi mua dhe juve.

E para: duhet ta mendosh para se të bësh një mëkat është fakti se Allahu të mbikëqyrë. Ai vazhdimisht të përcjellë dhe çfarëdo që bën s’mund ta fshehësh prej Tij “Ai di për shikimin me cep të syve, e edhe për atë që e fshehin në zemra.” (Gafir: 19) Besimtari vazhdimisht duhet të kultivojë këtë bindje në zemrën e tij derisa të arrijë përsosurinë e besimit që quhet Ihsan. Kjo është grada më e lartë e besimit të cilën i Dërguari i Allahut ﷺ e shpjegoi në këtë mënyrë: “Të adhurosh Allahun sikur je duke e parë Atë, nëse ti nuk e sheh atëherë Ai të sheh ty.” [1]

Shokët e të Dërguarit ﷺ me këtë bindje arritën devotshmërinë dhe gradat e larta që magjepsin njerëzit e rëndomtë kur lexojnë biografitë e tyre. Aliu, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, në një rast, teksa mbante një hutbe në Kufe tha: “betohem në Allahun, sikur Ai të heq perden dhe ta shoh, kjo nuk do më shtonte besimin as sa një grimcë.” Ata ishin të vetëdijshëm se Allahu i mbikëqyrë.

E dyta: mendo rreth madhërisë së Allahut para se të bësh një mëkat. Të parët kanë thënë: “mos shiko sa është i vogël një mëkat por shiko sa është i madh Ai ndaj të cilit mëkaton.” Mos e bën Allahun më të parëndësishmin prej atyre që të shohin. Shumë njerëz duken të mirë e të devotshëm kur janë në mesin e shokëve dhe dashamirëve, mirëpo kur vetmohen bëjnë shumë të zeza. Kjo do të thotë se ata nuk e madhërojnë sinqerisht Allahun. Për Zotin, sikur ta madhëronim Allahun ashtu siç meriton, kjo gjë do dukej në fytyrat tona. Tregohet për shejhulislam Ibën Tejmijen, kur dilte në treg dhe njerëzit kur shikonin fytyrën e tij fillonin e bërtitnin “la ilahe ilallah” sepse ai ua përkujtonte ahiretin me dritën e fytyrës së tij.

E treta: përkujto vdekjen para se të bësh një mëkat. Çfarëdo që të arrish, çfarëdo që të manipulosh, fshehësh e tradhtosh, shkelësh e nëpërkëmbësh, dije se një ditë trupi yt do gjendet në varr. Nuk do kesh shoqërues tjetër përpos veprave tua. Nëse ke bërë mirë, do gjesh mirë, e nëse keq, do gjesh vetëm keq. Mos u habit pas dynjasë, grumbullimit të pasurisë e mëkatimit sepse vdekja të vjen befas. Sufjan Theuriu kalonte tërë natën duke lexuar këto ajete: “Juve ju preokupoi përpjekja për shumimin (e pasurisë, të fëmijëve, të pozitës)! Derisa të mos i vizitoni varrezat (të vdisni). Jo, nuk është ashtu! Gjithsesi këtë do ta kuptoni më vonë! Përsëri jo, jeni gabim! Më vonë do ta kuptoni! Jo, pse, sikur ta dinit me një dije të sigurt (nuk do të bënit ashtu). Ju patjetër do ta shihni xhehenemin. Madje atë do ta shihni të bindur plotësisht. Pastaj në atë ditë do të pyeteni për të mirat (e dunjas).” (Tekathur: 18) Atëherë shumë njerëz do dëshironin të kthehen e të bëjnë punë të mira mirëpo “Dhe ndërhyhet ndërmjet tyre dhe ndërmjet asaj që dëshirojnë ata”. (Sebe: 54)

E katërta: duhet ta mendosh para se të bësh një mëkat janë dhuntitë e Allahut. A thua vallë nuk duhet të falënderojmë Allahun për të mirat që na ka falë? A nuk duhet të bëhemi mirënjohës? A nuk është turp që të mirat që na i ka dhënë Allahu me të cilat azdisemi t’i kthejmë me mëkate e indiferencë “A nuk i dhamë Ne atij dy sy? Edhe gjuhë e dy buzë? Dhe i sqaruam atij për të dy rrugët.” (Beled: 810)

Allahu e di më së miri!

—————————————

[1] Buhariu