Pyetje:
Doja t’ju pyesja se cilat janë detyrimet/sunetet me rastin e lindjes së fëmijës mashkull/femër nga prindi i tij?
Përgjigje:
Falënderimi i takon Allahut. Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të Dërguarin e Tij!
Nga rregullat kryesore të fëmijës së porsalindur janë:
1. Është e pëlqyeshme marrja e hurmës dhe fërkimi me të i pjesës së gojës së fëmijës
Në mungesë të hurmës arabe, mundet me ndonjë gjë të ëmbël si mjalti, etj.
Transmetohet nga Aishja – radijallahu anha – e cila thotë:
“Profetit – alejhi selam – i vinin (njerëzit) me fëmijët e tyre, dhe ai i bekonte ata dhe përtypte ndonjë hurmë, dhe pastaj me të ua fërkonte gojën atyre (në pjesën e brendshme).”
(Transmeton Buhariu dhe Muslimi)
2. Rruajtja e kokës në ditën e shtatë
Në lidhje me rruajtjen e flokëve të fëmijës femër, dijetarët kanë dhënë mendime të ndryshme, sepse në hadith është përmendur vetëm fëmija mashkull. Por, sipas medhhebit Malikij dhe Shafi’ij, është e pëlqyer rruajtja e flokëve të fëmijëve si për meshkujt ashtu edhe për femrat, duke mos bërë dallim ndërmjet tyre.
Dobi:
Në lidhje me dhënien e peshës së tyre sadaka nuk ka ardhur ndonjë hadith i saktë për këtë, kështu që mjafton të rruhen flokët e fëmijës dhe nuk ka nevojë për to të jepet sadaka.
3. Therja e kurbanit (akika)
Është një synet i fortë. Edhe kurbani theret në ditën e shtatë, nëse s’është e mundur në këtë ditë, atëherë e ther kur të ketë mundësi pa përcaktim. Për djalin theren dy kokë dele dhe për vajzën një.
Argument për këtë është hadithi i Profetit – alejhi selam – ku thotë:
“Për fëmiun djalë dy dele, dhe për atë vajzë një dele.”
(Transmeton Tirmidhiu dhe Nesaiu, dhe Shejh Albani thotë se hadithi është i vërtetë)
4. Emërtimi i fëmijës që pëlqehet të jetë në ditën e shtatë
Dobi:
Emrat më të dashur janë Abdullah dhe Abdurrahman, dhe emrat më të vërtetë janë Harith dhe Hemam. Po kështu pëlqehen emrat e profetëve, ashtu siç lejohen emrat me kuptim të mirë dhe të bukur.
Thotë Profeti – alejhi selam -:
“Secili fëmijë (mashkull) është i lidhur me akikën (kurbanin) e tij që therret për të në ditën e shtatë, dhe emërtohet në të (në ditën e shtatë) dhe i rruhet koka e tij.”
(Transmeton Tirmidhiu dhe Ebu Davudi, dhe Shejh Albani këtë hadith e cilëson si të vërtetë – Irvaul Galil 1165)
5. Bërja synet
Bëhet ditën e shtatë, ashtu siç bëhet më herët dhe më vonë. Dhe nga ana mjekësore, sa më shpejt të bëhet synet, aq më mirë është.
Profeti – alejhi selam – ka thënë:
“Pesë gjëra janë nga natyra e pastër e njeriut: bërja synet, rruajtja e pjesëve rreth organeve intime, heqja e qimeve të sqetullave, prerja e thonjve dhe shkurtimi i mustaqeve.”
(Buhariu dhe Muslimi)
Dhe sipas mendimit më të saktë, synetimi është vaxhib – i obliguar për meshkujt (dhe i pëlqyer për femrat).
Dobi shtesë:
- Në lidhje me thirrjen e ezanit dhe të ikametit për fëmijën e porsalindur, nuk ka ndonjë argument të vërtetë në lidhje me këtë çështje, prandaj thirrja e ezanit (në veshin e tij) dhe e ikametit nuk është mustehab (e pëlqyer). Ky është dhe mendimi i Imam Malikut – Allahu e mëshiroftë. Kështu që mendimi që mendojmë se është më i saktë, është se nuk ka nevojë të thirret ezani e as ikameti në veshin e fëmijës, sepse për këtë nuk ka argumente që vërtetojnë se një gjë e tillë është prej sunetit të Profetit – alejhi selam.
- Emërtimi i fëmijës nuk ka nevojë që të bëhet duke i kënduar atij hoxha ezanin apo ikametin në vesh, apo duke i përmendur emrin e tij tri herë në vesh, apo me gjëra të tjera të cilat mund të manipulojnë popullin që nuk ka njohuri për këtë. Mjafton të caktohet prej familjes emri i tij, dhe ashtu siç e vendosin ata që të quhet ai, ashtu emërtohet dhe e thërrasin me atë emër. Nuk i këndohet ndonjë gjë në veshin e tij.
Allahu e di më së miri!
Dr. Adelina Kuçana




