Pyetja:
Cilat janë ato ditët (sipas haditheve) kur preferohet bërja e hixhames dhe a është i vërtetë hadithi: ‘Kush bën hixhame në ato ditë nuk do të ketë semundje?
***
Përgjigjja:
Falënderimi i takon vetëm Allahut, përshëndetjet e lëvdatat të Dërguarit të Tij, Muhamedit ﷺ.
Hixhameja është metodë e vjetër kuruese, e cila kryhet duke e nxjerrur gjakun e padobishëm nga trupi përmes gotave, apo epruvetave në formë të gotave. Këtë metodë kuruese e ka praktikuar edhe i Dërguari ﷺ, dhe ka nxitur në të. Që i bie se një metodë e tillë edhe është sunet por edhe efikase në kurimin e shumë sëmundjeve. Në lidhje me kohën e preferuar për hixhame, dijetarët i kanë përmendur ditët: e shtatëmbëdhjetë, e nëntëmbëdhjetë dhe e njezet e një të çdo muaji hënor, duke u bazuar në hadithin që e transmeton Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të) se i Dërguari ﷺ ka thënë: “Ai që bën hixhame në ditët: shtatëmbëdhjetë, nëntëmbëdhjetë dhe njëzet e një, do të shërohet nga çdo sëmundje“. Mirëpo e vërteta rreth këtij hadithi dhe të gjithë haditheve të tjera që flasin për vlerën e hixhames në këto ditë, të gjitha janë të dobëta. Thotë Ibn Xhevzi, pasi që i mblodhi të gjitha hadithet që flasin për këtë çështje: ‘Asnjë hadith nuk është i saktë në lidhje me këtë’. Këtë e thanë edhe shumë dijetarë të tjerë të hadithit. Mirëpo, se hixhameja mbetet e preferuar në këto ditë (17, 19, 21 të çdo muaji hënor) dëshmon tradita e disa prej shokëve të të Dërguarit ﷺ, për të cilët ka transmetime të sakta se ata e bënin hixhamen në keto ditë. Gjithashtu, edhe mjekësia e preferon që hixhameja është më efikase nëse bëhet në gjysmën e dytë të muajve hënorë.
Allahu e di më së miri.
Hoxhë dr. Rasim Haxha