Pyetja:

Cilat janë gjërat që prishin abdesin?

***

Përgjigjja:

Dijetarët islamë kanë rënë në mospajtime në lidhje me çështjen e gjërave që prishin abdesin, mirëpo ne do t’i përmendim ato gjëra për të cilat kemi argument:

E para: Urina, gazrat, el-medhi (substanca e kthjellët që del nga penisi para ejakulimit të
spermës) dhe sperma.

E dyta: Gjumi i rëndë, kur njeriu nuk di se a ka abdes apo jo, ndërsa nëse njeriu ka fjetur me gjumë të lehtë në mënyrën që njeriu e di se a ka abdes apo jo, atëherë ky lloj gjumi nuk e prish abdesin. Në këtë çështje nuk ka kurrfarë dallimi në mes të atij që ka fjetur duke qenë i shtrirë apo ka qenë ulur apo i mbështetur. Kjo ngase gjumi nuk është ai që e prish abdesin, mirëpo kjo gjendje është e dyshimtë (andaj varet se a ka qenë në gjumë të rëndë apo jo). Prandaj, sikur të ishte gjumi në grupin e atyre (gjërave) që e prishin abdesin, do të prishej abdesi pa marrë parasysh se a do të flinte njeriu në gjumë të lehtë apo të rëndë, sikur që qëndron çështja me urinën: pa marrë parasysh sasinë e urinës, ajo e prish abdesin (ndërsa me gjumin nuk është ashtu).

E treta: Ngrënia e mishit të devesë. Nëse njeriu han mish deveje, ai e prish abdesin pa marrë parasysh se a ka qenë mishi i pjekur apo i zier. Për ketë kemi argument hadithin e Xhabir bin Semure (Allahu qoftë i kënaqur me të!), se kur u pyet i Dërguari i Allahut ﷺ: A të marrim abdes pas ngrënies së mishit të deleve? I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Nëse dëshiron”, kurse kur u pyet se a të marrim abdes pas ngrënies së mishit të deves, i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Po”. Lënia e të Dërguarit të Allahut ﷺ të çështjes së marrjes së abdesit pas ngrënies së mishit të deles nën dëshirën e njeriut, është argument se marrja abdes pas ngrënies së mishit të devesë nuk kthehet në dëshirën e njeriut, por patjetër duhet ta përsërisë abdesin. Prandaj është detyrim që njeriu, i cili han mishin e devesë, të marrë abdes. Abdesin e prish çdo pjesë e mishit pa marrë parasysh se a është kofshë, zemër, dhjam apo diç tjetër. Pra, të gjitha pjesët e trupit të devesë e prishin atë, për arsye se i Dërguari i Allahut ﷺ nuk e detajizoi çështjen, kurse ai ﷺ e dinte fare mirë se njerëzit hanin nga kjo apo ajo pjesë, dhe sikur të ndryshonte diç, atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ do ta sqaronte një gjë të tillë, në mënyrë që njerëzit ta kenë të ditur. Po ashtu ne nuk dimë në legjislacionin islam ndonjë kafshë pjesët e së cilës dallojnë, mirëpo ajo ose është hallall, ose haram; ose abdesi është i detyrueshëm pas ngrënies, ose nuk është. Ndërsa të themi se një pjesë e trupit të kafshës ka këtë vendim, ndërsa një pjesë tjetër vendim tjetër, një gjë e tillë nuk njihet në legjislacionin islam. Në legjislacionin e fesë çifute, një gjë e tillë është prezentë. Thotë Allahu: “E atyre që janë çifutë, Ne ua kemi ndaluar çdo (kafshë) thundrake: nga lopët dhe delet u kemi ndaluar dhjamin e tyre, pos atij (dhjami) në shpinën dhe zorrët e tyre, dhe pos atij të përzier me ndonjë eshtër…” (En’am: 146) Duke u bazuar në këtë (ajet) kanë rënë në konsensus të gjithë dijetarët (islamë) se dhjami (i derrit) është haram edhepse Allahu nuk e ka përmendur në Kur’an, përveç mishit (të derrit). Thotë Allahu: “Juve u janë ndaluar (t’i hani) cofëtinën, gjakun, mishin e derrit, atë që theret jo në emër të Allahut…” (Maide: 3) Andaj, nuk më kujtohet ndonjë mospajtim në mes dijetarëve për atë se dhjami i derrit është haram. Duke u bazuar në këtë, themi se ajo që është përmendur në lidhje me deven, aty hyn dhjami, kofsha, etj.

Shejh Ibn Uthejmin, “Fetava Erkanil-Islam”

Përktheu: Abdulaziz Behrami