Pyetja:

Kam dëgju se kur del sperma në gjumë, në ëndërr etj., nëse nuk pastrohesh me një fjalë thojnë bahesh baksuz. A është e vërtetë dhe çfarë pasoja ka nëse nuk lahesh menjëherë nëse ndodh kjo?

***

Përgjigjja:

Falenderimi i takon Allahut, ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin ﷺ, mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Vëlla i dashur, nëse njeriu bëhet i papastër (xhunub) qoftë në gjum apo zgjuar, obligohet të merr gusël për ta falur namazin. Por vonimi i guslit deri në kohën e faljes së namazit është i lejuar dhe nuk ka ndonjë pasojë dhe rrezik prej vonimit të tij, (edhe pse më e mirë është që njeriu të mos e vonojë atë dhe të qëndrojë çdoherë i pastër).

Transmeton Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se Pejgamberi ﷺ e takoi një ditë atë në rrugët e Medines, ndërsa ai (Ebu Hurejra) ishte i papastër. Atëherë ai shkoi dhe u pastrua, e pastaj erdhi. E Pejgamberi ﷺ tha: “Ku ishe o Ebu Hurejra?” Tha: “Isha i papastër dhe nuk deshta të ulem me ty duke qenë në atë gjendje.” Pejgamberi ﷺ tha: “Subhanallah, vërtetë besimtari nuk bëhet i papastër.” [1]

Ibn Haxheri ka thënë: “Nga ky hadith nënkuptohet se lejohet vonimi i guslit.” [2]

Kështuqë lejohet njeriu të qëndrojë i papastër, të del për të kryer nevojat e tij, të ushqehet dhe të flejë, përderisa nuk është koha që ka ndonjë namaz të obliguar në të. Edhe pse nëse don të ushqehet apo të flejë, është mustehab (e pëlqyer) që të merr abdes.

Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Pejgamberi ﷺ kur donte të ushqehej apo të flejë dhe ishte i papastër, merrte abdes.” [2]  Ndërsa hadithi në të cilin thuhet se: “Nuk hyjnë melaiket në atë shtëpi në të cilën ka qenë dhe njeri të papastër”, është hadith i dobët dhe nuk merret për argument.

Allahu e di më së miri.

Hoxhë Omer Bajrami

———————————–

[1] Buhariu dhe Muslimi

[2] Fet’h el Bari

[3] Muslimi

Comments are closed.