Pyetja:

Si llogariten nevojat bazë dhe minimumi jetik që (sipas njërit prej mendimeve të juristëve muslimanë) përjashtohen nga zekati?

***

Përgjigjja:

Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, Muhamedin ﷺ!

Në lidhje me llogaritjen e minimumit jetik dhe nevojave bazë, që bazuar në një mendim të fuqishëm të juristëve muslimanë janë të përjashtuara dhe nuk llogariten në zekatin e pasurisë, thuhet sa vijon:

Së pari: Njohuri kyçe mbi minimumin jetik dhe nevojat bazë

a. Njohuri kryesore mbi minimumin jetik

Minimumi jetik përbën kostot bazë për shpenzimet minimale jetike mujore: ushqimore (ku hyjnë: ushqimet, pijet jo-alkoolike etj. mallra e shërbime të këtij konteksti, që përbëjnë rreth 45 % të këtyre shpenzimeve) dhe ato jo-ushqimore (ku hyjnë: shpenzimet për banesën, ujin, energjinë elektrike, qeranë e paguar, mobilimin, pajisjet shtëpiake, mirëmbajtja e zakonshme e banesës, veshmbathja, shëndeti, transporti, komunikimi, arsimimi etj. shërbime e shpenzime të këtij konteksti, që përbëjnë rreth 55 % të këtyre shpenzimeve).

b. Llojet e minimumit jetik

Me minimum jetik familjar (Mjf), nënkuptojmë atë për një familje të përbërë prej katër anëtarësh (dy prindër dhe dy fëmijë nën 14 vjeç), i cili më konkretisht llogaritet duke e shumëzuar minimumin jetik për një individ me koeficientin 2,13 të vendosur nga Eurostat-i. Së këtejmi ky minimum jetik për një njësi familjare, i shprehur në shifra i takon të jetë: Mjf (minimumi jetik në muaj për një familje) = Mji (140 euro / muaj) x 2,1 (koeficienti i familjes standarde katër anëtarëshe) = (rreth) 295 euro në muaj; pra “Mjf = 295 euro / muaj”.

c. Minimumi jetik përbën një njësi standarde të nevojave bazë jetike

Minimumi jetik (siç hetohet nga sa më sipër) përbën një njësi standarde thelbësore të nevojave bazë jetike, por gjithsesi nevojat bazë janë më të gjera se minimumi jetik dhe tek ato hyjnë edhe çështje të tjera veç minimumit jetik, si: kursimet e depozituara për nevoja bazë (blerje objekti banimi me kushte bazë jetese etj.), kursimet për trajtime kritike shëndetësore, kostot për shlyerjen e borxheve (sidomos atyre që duhen likujduar menjëherë), kostot që kanë të bëjnë me ushtrimin e profesionit, kostot shtesë për familjet me më shumë individë se familja standarde e përdorur në rastin e minimumit jetik, kostot shtesë për personat që u përkasin gjendjeve dhe pozitave të veçanta etj.

Së dyti: Normat kryesore lidhur me minimumin jetik dhe nevojat bazë

Në lidhje me të ardhurat e personit (të hyrat e tij monetare) dhe përjashtimin e minimumit jetik dhe nevojave bazë të tij nga këto të ardhura në çështjen e zekatit, vlen të theksohen normat kryesore në vijim:

a. Instancat dhe institucionet që administrojnë çështjen e zekatit të pasurisë, lipset të hedhin dritë në mënyrë periodike mbi vlerësimin e kostove të “minimumit jetik / minimum living (kufirit më të ulët të kostove të jetesës / kufirit të varfërisë)”, sipas rrethanave të çdo vendi më vete. Kësisoj bëhet diferencimi midis personave me të ardhura të pakta që nuk e arrijnë nisabin4 (të varfërve që nuk e arrijnë vlerën pasurore obliguese të zekatit, ndaj nuk hyjnë tek dhënësit e zekatit) dhe atyre me të ardhura të shumta që e arrijnë vlerën e nisabit (të pasurve që hyjnë tek dhënësit e zekatit).

b. Në nevojat bazë dhe minimumin jetik të personit hyjnë ta ardhurat e tij të mjaftueshme për veten dhe për familjarët që ka në ngarkim (përgjegjësi) t’i mbajë (të kujdeset) financiarisht (ekonomikisht), ku hyjnë: bashkëshortja, fëmijët, dy prindërit, si dhe të gjithë të afërmit për të cilët ky person është i detyruar të harxhojë (kujdeset ekonomikisht); duke i mëshuar faktit se kjo kujdestari financiare duhet të jetë në limite të përmbajtura dhe ekuilibruara, pa shkujdes por edhe pa teprim.

Së treti: Shembull referent lidhur me minimumin jetik-nevojat bazë jetike

Një person përgjegjës për një familje standarde (të përbërë nga dy prindërit dhe dy fëmijë nën 14 vjeç) jeton në Shqipëri dhe si të vetmin burim financiar të ardhurash ka një rrogë mujore 500 euro. Nevojat bazë jetike mujore të tij janë të barasvlershme me minimumin jetik mujor për këtë familje. Lexoni më tepër

Nga referimi i Dnp (Diferencës neto të pasurisë) tek Vpoz (vlera pasurore obliguese e zekatit), del se personi në fjalë, nuk e ka arritur nisabin (vlerën pasurore obliguese të zekatit), duke qenë se ai është 394 euro poshtë Vpoz (vlerës pasurore obliguese të zekatit / nisabit); pra Dnp < (më e vogël se) Vpoz.

Allahu e di më mirë.

Alaudin Abazi