Pyetja:

Cilave grupe të njerëzve iu jepet zekati? Kur them “grupe njerëzish” e kam fjalën për familjarët, pra cilëve anëtarë të familjes (që janë të dobët ekonomikisht) mund t’iu jepet zekati e cilëve jo?!

***

Përgjigjja:

Allahu i ka cekur në Kur’an personat që duhet t’u jepet zekati: “Allahu caktoi obligim që lëmosha (zeqati, etj.) t’ju takojnë vetëm: të varfërve (nevojtarëve), të ngratëve (që s’kanë fare), punonjësve (që e tubojnë), atyre që duhet përfituar zemrat (të dobtëve në besim), e duhet dhënë edhe për lirim nga robëria, të mbyturve në borxhe, (luftëtarëve) në rrugën e Allahut dhe atij që ka mbetur në rrugë. Allahu e di gjendjen e robërve, punon sipas urtësisë së vet.” (Tevbe: 60)
Por, nëse kanë nevojë të afërmit si: vëllëzërit, motrat, axhallarët, dajallarët, hallat, tezet, etj., është më mirë t’u jepet atyre, ngase në një hadith thuhet: “T’i japësh sadaka të varfërit ke një shpërblim (pra, ke shpërblimin e një sadakaje) kurse t’u japësh të afërmve ke dy shpërblime, për afërsinë dhe për sadakanë.” [1]
Kurse, nuk lejohet t’i jepet zekati: prindërve, gjyshërve, nënave, gjysheve, fëmijëve, fëmijëve të tyre (nipave), vajzave dhe fëmijëve të tyre (mbesave) ngase këta e ka për obligim t’i mbajë nga pasuria e tij. Dhe, gjithashtu nuk lejohet t’i jepet gruas, kurse, gruaja ka të drejtë t’i jap burrit të saj.

Bedri Robaj

————————

[1] Ahmedi