Pyetja:
Cili është komenti i ajetit 65 të sures Nahl? “Allahu zbret nga qielli ujë me të cilin ngjall tokën pasi është tharë. Kjo, në të vërtetë, është shenjë e qartë për njerëzit që duan të dëgjojnë.”
***
Përgjigjja:
Falënderimet janë për Allahun, Krijuesin e çdo gjëje, mirësitë dhe begatitë e tij, qofshin mbi Profetin ﷺ dhe mbi të gjithë ata që ndjekin gjurmët e tij.
Ky ajet kuranor, siç është tradita e Kuranit, ju jep njerëzve shembuj aktualë nga jeta e vetë njerëzve, me qëllim që të kuptojnë sa më mirë dhe qartë fjalët e Allahut.
Në këtë ajet demonstrohet dukshëm madhështia e Allahut i Cili i kthen në jetë krijesat e vdekura dhe pa shpresë për të pasur gjallëri dhe jetë. Le t’ua lëmë fjalën, profesionistëve të kësaj fushe, tefsirit, komentatorëve të Kuranit.
Imam Taberiu (Allahu e mëshiroftë!) në lidhje me këtë ajet ka thënë: “Allahu i madhëruar ju tërheq vëmendjen krijesave të Tij, se vetëm Ai duhet adhuruar dhe njësuar dhe se çdo adhurim tjetër përveç tij nuk vlen. O ju njerëz! I Adhuruari juaj të cilit i takon adhurimi nga çdo gjë tjetër është Ai i cili ka zbritur nga qielli ujë, pra, shi. Nga ky shi bëri që të mbijnë bimët nga një tokë e vdekur, e cila s’kishte as të mbjella, as barë e as bimë, pasi ato kishin vdekur dhe nuk dukej gjë. Në këtë ringjallje të tokës pas vdekjes së saj, për shkak të shiut që zbritëm nga qielli, është një provë mjaft e qartë dhe një argument i prerë për ata që meditojnë, kuptojnë dhe i binden Allahut për atë që iu ka treguar.”
Ibn Kethiri (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Ashtu siç e ka bërë Allahu Kuranin një jetë dhe gjallëri për zemrat e vdekura për shkak të mohimit (kufrit), po kështu e ringjall tokën pasi ajo vdes (thahet dhe shkretohet) për shkak të shiut që zbret nga qielli.”
Shejh Sa’di (Allahu e mëshiroftë!) në komentimin e këtij ajeti thotë: “Njerëzit e kanë këtë si argument se vetëm Allahu është i Adhuruari, adhurim i cili nuk mund t’i kushtohet vetëm se Atij, Një dhe të Vetëm, sepse Ai është që solli begatinë e shiut dhe mbirjen e bimëve të llojllojshme dhe se Ai është i Plotfuqishëm për gjithçka.
Po kështu, Ai që ka mundësi të ringjallë tokën pas vdekjes së saj (nga bimët dhe gjelbërimi), s’ka dyshim se është i Plotfuqishëm për të ringjallur të vdekurit. Ai që ka përhapur këtë mirësi kaq të madhe është shumë i Mëshirshëm dhe ka një bujari të madhe. Këto janë shenja dhe argumente për ata që kuptojnë këshillat dhe përkujtimin e Allahut.”
Profesor Nexhar Zaglul, që merret me studimin e mrekullive shkencore të Kuranit shprehet: “Çështja e ringjalljes së tokës pas tharjes së saj, është një çështje që njerëzit habiten nga ky përshkrim i mrekullueshëm i Kuranit. Shkenca e ka vërtetuar në ditët tona se dheu përmban biliona qeniesh të shuara në tokë, si farërat, sporet dhe kokrrat e vjetra të bimëve, të cilat sapo të bjerë shiu ringjallen menjëherë duke i ndryshuar këto pamje që duken pa jetë dhe toka gjelbërohet. Allahu thotë: “Allahu zbret nga qielli ujë me të cilin ngjall tokën pasi është tharë”. Po kështu, Allahu betohet në atë që është në brendësi të tokës, sepse poshtë saj, ka një numër të pafund të gjallesave të fjetura dhe të amullta.
Profeti ﷺ ka thënë në një hadith: “Çdo eshtër e njeriut kalbet, përveç eshtrës së kërbishtesh”. Po kështu ka thënë se Ditën e Kiametit, Allahu do të zbresë një shi të veçantë nga i cili ringjallet çdo krijesë, siç mbin bima nga fara e saj. Pra, siç i shikojmë bimët duke mbirë në një ambient të jetës së amullt nën tokë që ngjallet dhe lulëzon për shkak të shiut, në këtë mënyrë do të jetë edhe ringjallja e njerëzve. Prandaj edhe Kurani e lidh gjithmonë gjelbërimin e tokës me ringjalljen e të vdekurve në shumë ajete.
Irfan Tota