Pyetja:

Çka do të thotë të shohësh ëndërr duke u falur në sexhde? Më herët i kam falur 5 kohët e namazit, por kjo ka qenë periudhë e shkurtër.

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin ﷺ, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!

Nuk bëjmë komentimin e ëndrrave, por ajo që dihet në përgjithësi në lidhje me ëndrrat është fakti se kur shohim ëndërr duke bërë vepra të mira, sikurse falja, lutja, duke dhënë sadaka, etj., këto lloje të ëndrrave aludojnë në gjëra të mira.

Sidoqoftë ajo që duhet ta theksojmë në këtë rast është realiteti që përmendët se në të kaluarën patët filluar të falni pesë kohët e namazit, kurse tani nuk e bëni këtë. Kjo është një gjë mjaft shqetësuese dhe shfrytëzojmë rastin që t’ju këshillojmë që sa më parë ta rifilloni faljen e namazit. Kjo për faktin se namazi nuk është një vepër e thjeshtë në fenë tonë, të cilën bën për ta kryer ose jo, por është shtylla më e rëndësishme e fesë sonë. Ka shumë citate të cilat vërtetojnë domosdoshmërinë e namazit, por në këtë rast dua të veçoj faktin se si Allahu i Madhëruar kur përmend virtytet e besimtarëve në suren El Muminun dhe El Mearixh fillon dhe mbaron me namazin. Suren Muminun e fillon: “Është e sigurt se kanë shpëtuar besimtarët, ata të cilët në namazin e tyre janë të përulur dhe të kujdesshëm.“ (Muminun: 1-2) Ndërsa në fund thotë: ”Dhe ata të cilët i kushtojnë kujdes kohës së namazit të tyre.” (Muminun: 9)
Gjithashtu, në suren El Mearixh thotë: ”Përveç atyre që falen, ata të cilët janë të rregullt në faljen e namazit të tyre.” Ndërsa në fund të ajeteve thotë: ”Edhe ata që janë të kujdesshëm ndaj namazit të tyre.” (Mearixh: 22, 23 dhe 34)

Alaudin Abazi