Pyetja:

Nëse njeriu shkon në xhehenem, a ka mundësi pas një kohe të kalojë në xhenet?

***

Përgjigjja:

Sipas besimit të Ehli Sunetit dhe Xhematit, në xhehenem do të dënohen dy kategori njerëzish:

1. Jobesimtarët dhe munafikët (hipokritët), të cilët nuk kanë besim, të cilët kanë vdekur në kufër apo shirk, në mosbesim, mohim, idhujtari dhe hipokrizi. Që të gjithë këta quhen qafirë. Këta do të hyjnë në xhehenem dhe do të qëndrojnë në të përgjithmonë. Ky qëndrim bazohet në Kur’an dhe në Sunet, është prej parimeve të përgjithshme që duhet ta besojë doemos çdo besimtar. Për këtë parim flasin shumë ajete, por ne po përmendim disa prej tyre.

Allahu xh. sh. thotë:

 “Ata që nuk besuan (bënë kufër, shirk) dhe bënë zullum, Allahu as nuk ka për t’i falur as nuk ka për t’i drejtuar në rrugë. Përpos rrugës së xhehenemit, në të cilin do të jenë përjetë, të përhershëm. E për Allahun kjo është e lehtë.”
(Nisa: 168169)

Gjithashtu thotë:

Allahu i ka mallkuar jobesimtarët (qafirët) dhe për ta ka përgatitur zjarr të ndezur fort. Aty do të mbesin përgjithmonë dhe nuk do të gjejnë kë t’i mbrojë apo t’i ndihmojë.” (Ahzab: 6465)

Gjithashtu thotë:

S’ka dyshim se ata, të cilët nuk besuan (bënë kufër) nga ithtarët e librit dhe nga idhujtarët, do të jenë në zjarrin e xhehenemit, aty do të jenë përgjithmonë. Të tillët janë krijesa më e dëmshme.” (Bejjine: 6)

Allahu xh.sh. nëpërmjet këtyre ajeteve dhe të tjera na njofton se përfundimi i qafirëve, i atyre që e mohuan Allahun duke i bërë kufër apo shirk, është zjarri i përhershëm. Nëse dikush dyshon në këtë formë dënimi të jobesimtarëve (qafirëve), atëherë ai e ka përgënjeshtruar fjalën e Allahut xh.sh. dhe e humb edhe besimin e tij, del prej dinit.

2. Besimtarë muslimanë mëkatarë, të cilët kanë vdekur me besim, mirëpo kanë bërë mëkate të mëdha që e meritojnë dënimin me zjarr të xhehenemit.

Dënimi i besimtarëve mëkatarë është me afat të caktuar varësisht prej peshës së mëkatit që kanë kryer. Njeriu që ka bërë mëkate nëse ka vdekur me iman, pas vuajtjes së dënimit apo pas faljes së Zotit, apo pas ndërmjetësimit të melekëve, Pejgamberëve, dëshmorëve dhe njerëzve të mirë etj., patjetër që do të dalë nga xhehenemi dhe do të hyjë në xhenet. Allahu xh.sh. thotë:

S’ka dyshim se Allahu nuk fal (mëkatin) t’i përshkruhet Atij shok (idhujtarinë), e përpos këtij (mëkati) i fal kujt do. Kush i përshkruan Allahut shok, ai ka trilluar një mëkat të madh.” (Nisa: 48)

Allahu xh.sh. na njofton se çdo mëkat që nuk përmban në vetvete idhujtari (mosbesim) është në vullnetin dhe dëshirën e Tij, nëse do e fal dhe e fut në xhenet, apo nëse do e dënon me xhehenem. Pas përjetimit të dënimit, mëkatari pastrohet prej mëkateve dhe hyn në xhenet përgjithmonë, kurse mëkati i idhujtarisë (mosbesimit) është i pafalshëm, prandaj jobesimtarët janë banorë të përhershëm të xhehenemit.

Nga gjithë kjo që u tha deri tani mund të arrijmë në përfundimin se në xhehenem do të hynë jobesimtarët dhe disa besimtarë mëkatarë, mirëpo dallimi ndërmjet tyre qëndron në faktin se jobesimtarët e kanë dënimin më të rëndë në xhehenem sesa muslimanët mëkatarë, edhe pse të gjithë janë në xhehenem, por edhe xhehenemi ndryshon për nga shkalla e dënimit dhe e vuajtjes.

Dallim tjetër mes tyre është se jobesimtarët kanë dënim të përhershëm dhe nuk do të dalin kurrë nga xhehenemi, kurse besimtarët mëkatarë, pas vuajtjes së  dënimit me afat të caktuar nga ana e Allahut xh.sh., apo pas faljes së Allahut të Lartësuar, do të dalin nga xhehenemi dhe do të hyjnë në xhenet me qëndrim të përhershëm.

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi