Pyetja:

Kur falja e namazit të sabahut është vonuar, deri në cilën kohë të ditës mund të falet namazi i sabahut kaza, (a mundet të falet deri pak para namazit të drekës?)?
– A duhet të falen katër rekatet kaza, apo duhet të falet kaza vetëm farzi i sabahut?
Përveç tjerash, nëse ka mundësi të më tregoni rreth kohëve në të cilat nuk mund të falet namazi. P.sh.: sa kohë (minuta) para lindjes së Diellit mund ta falim namazin e sabahut,
e kështu me radhë, sa kohë para zenitit dhe para perëndimit të diellit mund të falim namaz?

***

Përgjigjja:

Motër muslimane, namazi i sabahut nëse është vonuar për shkak të gjumit apo harresës atëherë falet kur të zgjohesh, apo kur të kujtohet, siç transmetohet nga Katadeja r.a. se ka thënë: ia përmendën të Dërguarit të Allahut ﷺ, humbjen e namazit për shkak të gjumit e ai tha: ”Nuk ka humbje (mëkat) në gjumë, por humbje konsiderohet kur je i zgjuar, nëse e harron ndokush prej jush namazin apo flen ndaj tij, le ta falë kur t’i kujtohet.“ [1]
Pra, kur të zgjohesh e falni namazin qoftë edhe pas drekës dhe mund ta falni sunnetin pastaj farzin si në kohën e tij.Kohët në të cilat është e ndaluar për t’u falur namazi janë tri: koha gjatë lindjes së diellit, kur dielli është në zenit (pika më e lartë në kupën e qiellit, që ndodhet drejt mbi kokën e vrojtuesit) dhe koha gjatë perëndimit të diellit.
Duhet të dihet se kjo ndalesë ka të bëjë me namazet nafile (sunete apo vullnetare) e jo me farzet, sipas mendimit më të vërtetë.Për këtë, nëse ndodh të vonohet namazi farz deri në kohën e ndalimit atëherë duhet të falet namazi edhe nëse është koha e ndalesës, ngase ka ardhur në hadith se: “Nëse e arrin ndokush prej jush një sexhde (pra rekatin) prej ikindisë para se të perëndojë dielli le ta plotësojë namazin e tij, dhe nëse e arrin një sexhde të sabahut para se të lind dielli le ta plotësojë namazin e tij.“ [2]

Bedri Robaj

————————

[1] Nesaiu dhe Tirmidhiu

[2] Buhariu