Pyetja:
Si i përgjigjeni filozofëve të cilët i japin përparësi arsyes ndaj tekstit fetar?
***
Përgjigjja:
Funksioni i arsyes lidhur me Kuranin Fisnik dhe Sunetin pejgamberik është të kuptojë dhe t’i pranojë ato. Përveç kësaj, arsyeja s’ka tjetër rol. Ka shumë tekste fetare që e obligojnë muslimanin për të pasuar Kuranin Fisnik dhe Sunetin e pejgamberit. Po ashtu, këto tekste i paralajmërojnë muslimanët kundër parashtrimit të çfarëdo opinioni apo sugjerimi që mund të kundërshtojë atë që përmendet në Kuran dhe në Sunetin pejgamberik. Allahu i patëmeta thotë:
“O ju që besoni, mos e qitni veten para Allahut dhe para të Dërguarit të Tij, dhe kini frikë Allahun. Vërtet, Allahu dëgjon gjithçka, di gjithçka.” (Huxhurat: 1)
“Paso atë që është zbritur nga Zoti yt e mos paso ndonjë eulija (mbrojtës a ndihmës që adhurohet veç Allahut) krahas Tij. Sa pak po kujtoni! (Araf: 3)
“Thuaj (O Muhamed): Nëse e doni Allahun, pasomëni (dmth., pasoni Kuranin dhe Sunetin) dhe Allahu do t’ju dojë dhe do t’jua falë gjynahet.” (Al Imran: 31)
“Vërtet, ky është shtegu Im, pra, pasojeni atë e mos pasoni shtigje tjera, se ato do t’ju ndajnë nga shtegu i Tij. Këtë e caktoi për ju që të bëheni të devotshëm.” (En’am: 153)
“Nëse dalloni mes vete në diçka, referojuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij, nëse besoni në Allahun dhe në Ditën e Gjykimit. Kjo është më mirë dhe më e përshtatshme për vendimin përfundimtar.” (Nisa: 59)
“Kur atyre u thuhet: Pasoni atë që ka zbritur Allahu, ata thonë: Kurrsesi. Ne do t’i pasojmë baballarët tanë. (A do ta bëni këtë) Edhe nëse baballarët tuaj nuk kuptuan gjë dhe nuk qenë të udhëzuar?” (Bekare: 170)
Ka edhe të tjera ajete Kuranore, të cilat i urdhërojnë muslimanët për të pasuar shpalljen e zbritur nga Allahu i lartësuar dhe që paralajmërojnë kundër pasimit të dëshirave personale dhe krejt asaj që diktohet nga arsyeja e që shmang nga shtegu i drejtë.
Kështu, s’është e lejueshme për një person që të mashtrohet nga arsyeja e vet, sado që ka të kuptuar e mendim përfshirës, që ta marrë arsyen e vet si bazë ndërsa tekstin e Kuranit dhe të Sunetit si degë, duke e pranuar atë që pajtohet me arsye dhe duke e refuzuar a shtrembëruar krejt çka s’pajtohet me të. Kjo nënkupton një akuzë ndaj sheriatit hyjnor. Po ashtu, kjo minon bazat dhe shtyllat e Sheriatit, meqë ka arsye, mendime e natyra të ndryshme, dhe njerëzit mezi pajtohen në diçka, me përjashtim të gjërave të domosdoshme dhe gjërave që perceptohen nëpërmjet shqisave. Nëse puna është kështu, atëherë cilat nga këto arsye duhet të përvetësohen si baza të cilave njerëzit do t’iu referoheshin, kur do të dalloheshin në ndonjë rast, dhe për ta kuptuar tekstin e transmetuar të Sheriatit? Sa qëndrim të urtë ka shprehur Shejhul-Islam Ibn Tejmije (Allahu e pastë mëshiruar): “Njerëzit duhet të dinë se kurrgjë nga arsyeja apo nga tekstit i transmetuar besnikërisht nuk e obligon kundërshtimin ndaj metodës së selefëve (paraardhësve të devotshëm). Ata që e kundërshtojnë Kuranin, Sunetin pejgamberik dhe selefët e këtij umeti (popullit të mbështetur në një besim), janë të ngatërruar dhe s’mund të bëjnë dallim mes së drejtës dhe të gabuarës. Kushdo që mohon të parët e Allahut, pohon se arsyeja nuk e pranon këtë.
Kështu, ai ka nevojë për një te’wil (interpretim alegorik) për fjalën “ru’jeh” (shikim). Gjithashtu, ata që e konsiderojnë si të pamundshme për Allahun të ketë dije dhe forcë dhe të ketë të folur që s’është i krijuar, thonë që arsyeja e konsideron një gjë të tillë si të pamundshme, kështu që iu kthyen te’wilit. Për më shumë, ata që mohojnë ringjalljen e trupave dhe ngrënien e pirjen e njëmendtë në Xhenet, pohojnë se arsyeja i konsideron këto si të pamundshme, kështu që iu drejtuan te’wilit. Po ashtu, ata që pohojnë se Allahu i patëmeta nuk rri në Fron, pohojnë se arsyeja e konsideron këtë si të pamundshme dhe i drejtohen te’wilit”. Dëshmia për parregullsinë e mendimeve të ofruara nga këta njerëz është se asnjë prej tyre s’ka rregulla fikse lidhur me atë se çka konsiderohet e pamundshme nga arsyeja. Disa prej tyre pohojnë se arsyeja e konsideron si të lejueshme apo të obligueshme atë që të tjerët e konsiderojnë të pamundshme. Pra, cila nga këto mund të përvetësohet për të shqyrtuar Kuranin dhe Sunetin pejgamberik? Siç qe thënë nga Imam Malik ibn Enes: “Do të ishim budallenj sikur ta lenim atë që i është shpallur Muhamedit ﷺ nëpërmjet Xhibrilit sa herë që na vjen ndonjë person që i tejkalon tjerët në argumentim!” Allahu na dhëntë sukses! Paqja e bekimet qofshin mbi Pejgamberin Muhamed ﷺ, mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij.
Komisioni i Përhershëm për Fetva
Përktheu: Udha e Besimtarëve