Pyetja:
Allahu një çifti nuk i ka dhuruar fëmijë, por ata pajtohen me caktimin e Allahut dhe asnjëherë nuk hidhërohen me këtë caktim, por ndodh që ndonjëherë nga dëshira për të pasur një fëmijë mund të qajnë. A konsiderohet kjo se ata mund të rrëzohen në këtë sprovë?
Përgjigja:
Allahu i Lartësuar thotë:
“Vetëm i Allahut është pushteti i qiejve e i tokës; Ai krijon çka të dojë; Ai i fal vetëm femra atij që do; e i fal vetëm meshkuj atij që do. Ose u fal çift, meshkuj e femra, por atë që do e lë pa fëmijë (steril); Ai është i Dijshëm, i Fuqishëm.“ (Shura: 49-50)
Pa dyshim se të pasurit fëmijë konsiderohet njëra prej begative më madhështore që Allahu i Madhërishëm u dhuron robërve të Vet. Në rastin kur i Lartësuari i privon robërit e Vet prej disa begatish dhe dhuntish të Tij, kjo nuk do të thotë se Ai është i hidhëruar me ta apo nuk i do, por me këtë Ai sprovon sinqeritetin dhe imanin e tyre. Allahu xh.sh. thotë:
“E njeriu, kur e sprovon Zoti i tij, e nderon dhe e begaton, ai thotë: “Zoti im më ka nderuar!” Por, kur për ta sprovuar ia pakëson furnizimin (e varfëron), ai thotë: “Zoti im më ka nënçmuar!” Jo, nuk është ashtu! Por (punoni edhe më zi) ju nuk përfillnit bonjakun.” (Fexhr: 15-17)
Në rastet kur Allahu e privon besimtarin prej ndonjë dhuntie, ai nuk duhet të shfaqë hidhërim dhe pakënaqësi ndaj caktimit të Allahut të Lartësuar, por duhet të shprehë kënaqësi dhe pajtim me caktimin e Tij, ngase sa më i fortë të jetë imani i besimtarit aq edhe më të mëdha janë sprovat e Allahut të Lartësuar për të.
Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Shpërblimet e mëdha vijnë me sprovat e mëdha. Allahu kur e do dikë e sprovon, e kush është i kënaqur (me sprovën), atij i takon kënaqësia (e Allahut), ndërsa kush hidhërohet, atij i takon hidhërimi.” [1]
Pra, e tërë jeta e besimtarit është sprovë, si begatia ashtu edhe fatkeqësia. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Është e çuditshme puna e besimtarit, gjithë jeta e tij është hajr (mirësi). Nëse i vjen një e mirë, ai falënderon Zotin dhe merr shpërblim për këtë gjë. Nëse i bie një fatkeqësi, ai duron për hir të Zotit dhe përsëri shpërblehet për këtë gjë, e kjo gjë ndodh vetëm me besimtarin.” [2]
Shprehja e hidhërimit ndaj caktimit të Allahut shfaqet në disa forma:
1. Hidhërim me zemër, duke mbjellë në zemër urrejtje ndaj Allahut xh.sh. për shkak të ndonjë gjëje të hidhur. Kjo është e ndaluar, madje konsiderohet një hap më afër mosbesimit. Allahu i Lartësuar thotë:
“Ka nga njerëzit që adhuron Allahun me mëdyshje (luhatshëm), nëse e godet ndonjë e mirë, ai qetësohet me të, po nëse e godet ndonjë e pakëndshme, ai kthehet në fytyrën e vet të vërtetë (të mëparshme), ai i ka humbur këtë dhe jetën tjetër e ky është ai dështimi i qartë.” (Haxhxh: 11)
2. Hidhërim me gjuhë, me sharje, mallkim e të ngjashme me këto. Edhe kjo është e ndaluar.
3. Hidhërim me gjymtyrë, me shkuljen e flokëve, me goditjen e trupit, me shqyerjen e rrobave, të gjitha këto janë të ndaluara.
Ndërsa dalja e lotit në momente mërzie është e lejuar, ngase loti simbolizon mëshirën. Usame bin Zejdi transmeton se Pejgamberit ﷺ me rastin e vdekjes së një fëmije të njërës nga vajzat e tij i kanë dalë lotët dhe ka qarë. Sead bin Ubadeh i ka thënë: “Çka është kjo, o i Dërguari i Allahut?” Ka thënë: “Kjo është mëshira që ka lëshuar Allahu në zemrat e robërve të Tij. Prandaj Allahu do t‘i mëshirojë robërit e Tij që janë të mëshirshëm.” [3]
Shpërblimi i sprovës nuk humbet nëse sytë lotojnë, por është me rëndësi që zemra të jetë e kënaqur me caktimin e Allahut të Madhëruar dhe të mos hidhërohet ndaj Tij apo ta kundërshtojë kaderin e Tij.
Allahu e di më së miri.
Dr. Shefqet Krasniqi
————————————————————
[1] Tirmidhiu, nr. 2396; Ibën Maxhe, nr. 4031. Tirmidhiu ka thënë: “Hasen garib në këtë formulim”, ndërsa Albani e ka konsideruar hasen-të mirë.
[2] Muslimi, nr. (2999) 64.
[3] Buhariu, nr. 7377; Muslimi, nr. (923) 11.