Pyetja:

Përse Allahu i rëndon me sëmundje dhe të tjera sprova besimtarët që bëjnë shumë akte adhurimi, kurse mëkatarët i gëzojnë të gjitha të mirat në jetë?

***

Përgjigjja:

Kjo pyetje mund të shtrohet në dy mënyra, qoftë si vërejtje apo si kërkim për të kuptuar. Nëse shtrohet si vërejtje, kjo tregon për paditurinë e pyetësit, sepse urtësia e Allahut është aq e madhe, saqë mendjet tona s’mund ta përfshijnë. Allahu ka thënë: “Ty pyesin ty (O Muhamed) lidhur me shpirtin. Thuaj: Shpirti është nga gjërat për të cilat di vetëm Zoti im. Kurse, juve ju është dhënë vetëm pak dije.” (Isra: 85) Shpirti është brenda nesh dhe është thelbi i jetëve tona, por nuk e njohim atë. Filozofët e mendimtarët janë të paaftë për ta përkufizuar dhe përshkruar atë. Nëse nuk dimë gjë rreth shpirtit – që është gjëja më e afërt ndaj nesh – veç asaj që është përshkruar në Kuran dhe në Sunet, atëherë çka mendoni për gjërat përtej kësaj? Allahu është më i urti, më i madhi, më madhështori dhe më i fuqishmi, dhe në duhet t’i nënshtrohemi vullnetit dhe caktimit të Tij.
Bazuar në këtë, përgjigja në këtë pyetje është: Allahu e di më së miri dhe ai është më i urti, më i fuqishmi dhe më i madhi.

Nëse pyetja shtrohet në kërkim të kuptimit, atëherë i themi pyetësit: Besimtari i nënshtrohet provimit, dhe provimi i tij nga ana e Allahut nëpërmjet gjërave që mund ta dëmtojnë apo ta lëndojnë atë, sjell dy dobi të mëdha:

Dobia e parë është se Allahu e sprovon këtë njeri lidhur me besimin e tij, për të parë nëse besimi i tij është i sinqertë apo i paqëndrueshëm. Besimtari, feja e të cilit është e sinqertë, e pranon vullnetin dhe caktimin e Allahut, dhe kërkon shpërblim prej Tij. Në këtë rast, çështja bëhet e përballueshme për të. Është transmetuar se një adhuruese e Allahut preu gishtin e saj, por nuk u ankua për dhimbjen dhe nuk tregoi shenja të shqetësimit. Ajo u pyet për këtë dhe tha: “Ëmbëlsia e shpërblimit për këtë më bën ta harroj hidhësinë e përballimit me të.” Pra, besimtari kërkon shpërblim nga Allahu dhe i nënshtrohet Atij plotësisht. Kjo është një dobi.

Sa i përket dobisë së dytë, Allahu i lavdëron të duruarit dhe thotë se është me ta, dhe do t’u japë atyre shpërblim pa masë. Durimi është një pozitë e lartë, që mund të arrihet vetëm nga ata që sprovohen me gjëra që i mbartin me durim. Nëse ai bën durim, e arrin këtë pozitë të lartë, e cila sjell shpërblim të madh. Kështu, kur Allahu i sprovon besimtarët me gjëra që i lëndojnë ata, kjo bëhet që ata të arrijnë pozitën e të duruarve. I dërguari i Allahut ﷺ, i cili ishte njeriu më besimin më të madh, me devotshmërinë dhe me frikën më të madhe ndaj Allahut, ka përjetuar dyfishin e dhimbjes së një njeriu të thjeshtë, kur është sëmurë. Dhe ai ﷺ vuajti shumë në prag të vdekjes, që të arrinte plotësisht pozitën e të duruarit, sepse ai ka qenë më i duruari ndër të duruarit. Prej këtu, na bëhet e qartë urtësia në provimin që Allahu ua bën besimtarëve me të tilla fatkeqësi.


Kënaqësitë e mëkatarëve

Sa i përket shëndetit dhe furnizimit të bollshëm që Allahu ua jep mëkatarëve, keqbërësve, njerëzve të pamoralshëm dhe mosbesimtarëve, kjo bëhet me qëllim që ata të entuziazmohen (ta humbasin kontrollin në mëkatim e pastaj t’i dënojë rëndë). Është transmetuar se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kjo botë është burg për besimtarin, kurse për mosbesimtarin është parajsë.” [1]
Atyre u jepen këto gjëra të mira me qëllim që ta marrin të mirën e tyre më herët në këtë botë, kurse në Ditën Ringjalljes, ata do të marrin dënimin e merituar. Allahu ka thënë:
“Në ditën kur ata që kanë mohuar (në njësinë e Allahut) do të dalin para Zjarrit (do të thuhet): Ju pranuat gjërat e mira në jetën e dunjasë dhe u kënaqët me to. Tash, në këtë ditë, do të dënoheni me vuajtje poshtëruese, sepse u treguat arrogantë në tokë pa asnjë të drejtë dhe ngaqë u rebeluat kundër urdhrit të Allahut.” (Ahkaf: 20)
Çështja këtu është se kjo botë është për mosbesimtarët të entuziazmohen në të. Pastaj, kur ta lënë këtë jetë, në të cilën gjetën kënaqësi, do të hasin në torturë. Kërkojmë shpëtim tek Allahu. Dënimi do të jetë edhe më i rëndë, sepse do të vuajnë shumë dhe njëkohësisht do të humbasin luksin dhe kënaqësitë që i donin aq shumë. Ka edhe një dobi të tretë, e cila do t’u shtonte dy të parave dhe nga e cila përfiton besimtari në rastin e sëmundjes dhe problemeve. Besimtari do të zhvendoset në një fushë që është më e mirë se kjo botë, do të zhvendoset nga diçka që e lëndon atë në diçka që do t’i sjellë lumturi e gëzim. Pra, ky gëzim do të shumëfishohet, ngaqë u arrit prej tij, kurse pushuan dhimbja dhe vështirësitë me të cilat u përballë.

Shejh Ibn Uthejmin

————————

[1] Muslimi