بسم الله الرحمن الرحيم

Pyetje: Jam futur në namazin me xhemat për të falur teravitë, por nuk e dija që imami ishte duke falur vitrin. Çfarë duhet të bëja në këtë rast? Po në rastin kur dua të falem më shumë gjatë natës dhe ta mbyll namazin vetë me vitrin, por sa jam në xhami imami është duke falur vitrin si mund të veproj?

Përgjigje: Për sa i përket rastit të parë kur futet në namaz me nijetin e namazit të teravive, ndërkohë kupton se imami është duke falur namazin e vitrit, mund ta plotësojë atë me një rekat plus, direkt pasi imami të japë selam dhe vitrin e fal vetë më vonë në xhami ose në shtëpi.
Edhe në rastin tjetër kur e di që imami do falë pas teravive namazin e vitrit me xhemat në xhami dhe ai nuk do ta mbyllë namazin aty, por do të falet përsëri gjatë natës, atëherë për të zbatuar sunetin profetik, për të vonuar vitrin më vonë dhe për ta mbyllur namazin e natës me vitr, mund të falet me imam duke e llogaritur namazin e tij me xhemat namaz nafile (vullnetar), dhe pastaj si në rastin më sipër mund ta bëjë namazin çift, duke i shtuar një rekat, direkt pasi imami të japë selam dhe vetë mund të falet natën më vonë sa të dojë, duke e mbyllur në fund namazin me rekat tek (vitr).
Imam Neveviu në librin e tij el-Mexhmu (4/14) sqaron se kushdo që do ta falë vitrin vetë më vonë mund ta bëjë këtë, ndërsa në xhami falet me xhemat duke e llogaritur namaz nafile. Po kështu edhe Imam Ibn Kudama el-Hanbeli në librin e tij el-Kafi (1/266) gjithashtu sqaron se kushdo që do ta falë vitrin vetë më vonë mund të falet pas imamit në xhami me xhemat dhe kur imami jep selam shton një rekat, që të mbetet namazi i tij çift dhe e fal vitrin vetë më vonë.
Allahu e di më së miri!

Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH