Shpërblim i madh, të cilin shumkushi prej nesh e shpërfill

 

Falënderimi i takon Allahut dhe paqja e bekimi qofshin mbi të Dërguarin e Allahut.

Namazi i Ishrakut është falja e dy rekateve pas lindjes së diellit dhe pasi ai të jetë ngritur pak, për atë që ka falur sabahun me xhemat në xhami, pastaj është ulur në vendin e tij duke e përmendur Allahun derisa të falë dy rekate.

Për vlerën e kësaj vepre flet fjala e Pejgamberit ﷺ:

“Kush e fal namazin e sabahut me xhemat, pastaj ulet duke e përmendur Allahun deri sa lind dielli, e pastaj i fal dy rekate, ai ka shpërblimin e haxhit dhe umres së plotë, të plotë, të plotë.”

E transmeton Tirmidhiu (586) nga Enes ibn Maliku, Allahu qoftë i kënaqur me të.

Shejh Albani, Allahu e mëshiroftë, e ka vlerësuar si hasen në librin e tij “Sahih Sunen et-Tirmidhi”.

Shejhu Ibn Baz, Allahu e mëshiroftë, është pyetur rreth tij dhe ka thënë:

“Ky hadith ka rrugë të tjera të pranueshme, prandaj konsiderohet prej haditheve hasen ligajrihi (hasen për shkak të transmetimeve të shumta).

Ky namaz rekomandohet të falet pasi të ketë lindur dielli dhe të jetë ngritur sa gjatësia e një shtize, pra rreth një të tretën (20 min) apo çerekun e orës (15 min) pas lindjes së tij.” Fetava el-İmam Ibën Baz (25/171)

Ky namaz është i pëlqyeshëm (mustehab) dhe jo i detyrueshëm; ai hyn në kuadër të namazit të duha-së, pasi koha e duha-së nis nga ngritja e diellit deri pak para hyrjes së drekës.

Për të argumentuar se ky namaz është sunnet dhe i rekomanduar (namazi i duhasë) e kemi hadithin të cilin e regjistorn Imam Buhariu (nr. 1178) dhe Imam Muslimi (nr. 721) nga Ebu Hurejre, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili ka thënë:

“Shoku im i dashur më porositi për tri gjëra që të mos i lë derisa të vdes: agjërimin e tri ditëve në çdo muaj, namazin e duhase dhe fjetjen pasi që kam falur vitr-in.”

Shejh Ibën Uthejmini, Allahu e mëshiroftë, u pyet për namazin e ishraqit dhe atë të duha-së. Ai u përgjigj:

“Suneti i Ishrakut është vetë suneti i duhase; por nëse falet menjëherë sapo dielli të ketë dalë dhe të jetë ngritur pak, ajo quhet ‘namazi i Ishrakut’. Ndërsa nëse falet në mes të kohës ose në fund të saj, ajo quhet ‘namazi i duha-së’. Por, realisht, është i njëjti namaz, sepse dijetarët kanë thënë se koha e duhase fillon nga ngritja e diellit sa gjatësia e një shtize e deri para zënies së vendit nga dielli (para drekës).”

Lika’ul-Babil-Meftuh (141/24)

Duke u nisur nga këto sqarime i thërrasim besimtarët të dalin në xhami për namaz sabahut edhe të qëndrojnë aty në xhami deri sa të lind dielli, duke bërë dhikrin e mëngjesit, sidomos tani dimrit kur namazi i sabahut është vonë edhe pas namazit mund të dilet drejt e në punë.

Allahu na i lidhtë zemrat për namazin me xhemat! Amin!

Bekir Halimi